“53-milionëshi”, ish-drejtori i Zyrës Ligjore në MI rithekson se kishte presion për opinionin ligjor përkundër dosjes voluminoze – flet për pezullimin nga puna

Prishtinë | 16 Tet 2025 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Në rigjykimin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”, të enjten vazhdoi dëshminë Avdi Kamerolli, ish-drejtor i Zyrës Ligjore në Ministri të Infrastrukturës. Ai foli sërish për presionin që kishte me rastin e përpilimit të opinionit ligjor, ndërsa tregoi se si u pezullua nga puna më vonë.

Në këtë rast, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kamerolli i cili e nisi dëshminë më 18 shtator 2025, ritheksoi se përkundër dosjes voluminoze, kishte presion për përpilimin e opinonit ligjor që “Bechtel & Enkas” t’i njihet e drejta në borxh prej 63 milionë eurosh.

Dëshmitari duke u përgjigjur lidhur me rrjedhën e procedurës së dhënies së opinonit ligjor më 1 qershor 2018, tha se opinionin e tij e ka bazuar në dokumentet e disponueshme, por që nuk pasur mundësi të shqyrtojë kontratën e plotë, e cila ishte volumunize dhe kërkon ekspertizë të specializuar.

“Ka qenë e pamundur me siguru një kontratë për me dhanë vendimin ngase ka qenë shumë voluminoze dhe nuk ka pasur kuadro në Ministri për të vlerësuar atë kontratë sepse ajo duhet me pas performancë financiare për vonesa financiare për teknikë në terren”, shpjegoi Kamerolli.

I pyetur nga i akuzuari Berisha nëse e kishte kërkuar atë kontratë, Kamerolli deklaroi se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme dhe se presioni për të dhënë opinionin ligjor brenda një dite, e ka bërë të pamundur shqyrtimin e plotë.

“Vlen përgjigja si në seancat e kalume, disa herë e kam thanë, shkresat që i kam posedu atë ditë unë, m’i ka dërgu Ramë Qupeva, i ka diktu Eset Berisha. Ky nuk më ka thanë me ma dërgu kontratën”, tha Kamerolli.

Sipas tij, edhe po t’ia dërgonin kontratën, ka qenë e pamundur ta shqyrtonte.

“As Hilli nuk mund ta sigurojë atë kontratë brenda atij intervali kohor”, shtoi Kamerolli.

I pyetur lidhur me kohën kur është shkruar një shkresë që Kamerolli e kishte drejtuar tek hetuesit më 1 qershor 2018, për të cilën sipas të akuzuarit Berisha, hetimet filluan pa dy muajsh- më 7 gusht 2018, dëshmitari tha se nëse ia kërkon Gjykata, do e sjellë atë shkresë.

Pas dhënies së opinionit, Kamerolli deklaroi se është pezulluar nga puna më 21 dhjetor 2019, e që sipas tij, nuk ka pasur asnjë arsyetim për këtë veprim, vetëm se i është thënë se ka bërë një komunikim me kryesuesin e auditimit.

Ai tregoi se vendimi fillestar për pezullimin e tij është shfuqizuar nga Komisioni i Ankesave, por që nuk e kishin kthyer në punë.

“Këta nuk më kanë kthy në punë. Këta e kanë ndërru komisionin krejt me njerëzit e vet në Komision të Ankesave, njerëz të tyre të dëgjueshëm, dhe ai komision ma ka reufu ankesën”, u shpreh dëshmitari.

Sipas tij, i kishte shkruar menaxhmentit të Ministrisë për ta zbatuar vendimin, por që ai s’u zbatua. Tha se pas 6 muajsh, Komisioni Disiplinor e kishte kontaktuar dhe e njoftoi se ka marrë vendim.

‘’Hetuesi më ka thirrë më 26 prill 2019 për me dhanë deklartatë për këtë çështje, por ndërsa pas deklaratës në hetuesi me datë 17 maj 2019 patën marrë vendim me më heq prej pune”, tha dëshmitari Kamerolli.

Arsyetimi i dëshmitarit për largimin nga puna u kundërshtua nga Berisha, i cili tha se në vendim thuhet se Kamerolli ka refuzuar bashkëpunimin, pengon njësinë e auditimit dhe përdor komunikime fyese e denigruese. Por, që dëshmitari tha se mund ta sjellë vendimin final për pezullim.

Dëshmitari tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Prokurori. Tha se opinionin e parë dhe atë të dytë ia kishte dërguar ministrit të atëhershëm Pal Lekaj, dhe se menjëherë e kishte thirrrë Eset Berisha, me arsyetimin se nuk ishin pajtuar me ato që i kishte konstatuar.

Seanca planifikohej të vazhdonte edhe në sesionin e pasdites ku pritej të dëgjohej në cilësinë e dëshmitarit Valdrin Lluka, ish-ministër i Zhvillit Ekonomik, i cili e kishte njoftuar Gjykatën se do të lidhet me video-link përmes e-mailit. Por, pasi IT i gjykatës e ka dërguar lidhjen për t’u lidhur për dëshmi, i njëjti nuk është lajmëuar.

Ndryshe, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama ka refuzuar kërkesën për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra nga gjykimi i rastit të njohur si “53-milionëshi”, kërkesë kjo e parashtruar nga i akuzuari Eset Berisha.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku): Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.

Sipas aktgjykimit të Themelores, Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.

Po ashtu, ndaj Berishës u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit.

Të ngjashme