Krah për krah me Endrit Thaçin, Përparim Rama shpërndan pamje nga protesta gjithëkombëtare: Drejtësi për ata që ngritën flamurin në ditët më të errëta

Prishtinë | 17 Tet 2025 | 21:08 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shpërndarë një mesazh të fuqishëm pas protestës mbarëkombëtare që u zhvillua sot në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në postimin e tij, Rama shkruan se qytetarët nga çdo cep i trojeve shqiptare , nga Tirana në Prishtinë, nga Ulqini në Preshevë, nga Shkupi e deri në diasporën e largët, janë bashkuar në një zemër të vetme për të shprehur mirënjohje dhe krenari për ata që dhanë jetën për lirinë e kombit.

“Ky shesh frymon me gjakun dhe nderin e të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë tonë! Sot, ky shesh është zemra e kombit që rreh me një ritëm të vetëm: ritmin e dinjitetit, të kujtesës dhe të krenarisë!”, shkruan Rama përbri fotografive, njëra prej të cilave krah për krah me djalin e ish-presidentit Hahsim Thaçi, Endritin..

Ai ka theksuar rëndësinë e drejtësisë për ish-krerët e UÇK-së, duke theksuar se gjaku i tyre është themeli i shtetit të Kosovës dhe forca e gjallë e qenies shqiptare në Ballkan.

Rama ka bërë thirrje për një betim kombëtar për lirinë, kujtesën dhe drejtësinë që nderon sakrificën e çlirimtarëve.

“Lavdi UÇK-së. Lavdi çlirimtarëve”, përfundon mesazhi i tij.

Të ngjashme