Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot Sabedin Vishin, kandidatin për kryetar të Kaçanikut, bashkë me Besim Ilazin, të parin e kësaj komune që vjen nga radhët e të njëjtit subjekt politik.
Krasniqi ka pohuar se Sabedin Vishi është vazhdimësia e qeverisjes së mirë të Besim Ilazit dhe e besës së pathyeshme të PDK-së me qytetarët e Kaçanikut, tash e 25 vjet.
“Sepse Kaçaniku nuk njeh humbje, plogështi e as dorëzim. Sepse Kaçaniku ka qenë dhe do të mbetet me PDK-në.”
“Vazhdojmë me punë, bashkim e fitore!”, ka shkruar Krasniqi.
Nga zgjedhjet e fundit lokale, Vishi shkon në balotazh me Jeton Rakën të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.