Akuzohet për plagjiaturë Dekani dhe profesori i “Kadri Zeka” në Gjilan

Prishtinë | 24 Tet 2025 | 20:41 | Nga Ekonomia Online

Behar Haziri, lëshoi një akuzë të rëndë karshi kundërkandidatit të tij në konkursin për profesor në Universitetin e Gjilanit, Blerim Haziri dhe dekanit Selim Daku.

Kjo ngase, sipas tij, në punimin shkencor ku Blerimi është bashkautor bashkë me Dakun, ka plagjiaturë.

Sipas Hazirit, 17 faqe, fjalë për fjalë, janë kopjuar nga tema e doktoratës së Selim Dakut.

Sipas tij, pjesa hyrëse e punimit, konkretisht 17 faqet e para, janë marrë nga doktorata e vetë Dakut.

Për më tepër, i njëjti punim është përfshirë nga Blerim Haziri në CV-në e tij gjatë aplikimit për pozitën e profesorit asistent në të njëjtin universitet.

Dekani Selim Daku, ka thënë se kjo nuk mund të konsiderohet plagjiaturë.

Daku ka theksuar se ai vetë është autori i parë dhe se është në dijeni se çfarë është botuar.

Ndërsa sa i përket akuzave se Blerim Haziri nuk i ka përmbushur kriteret për këtë pozitë, dekani Selim Daku ka thënë se në këtë rast të dy kandidatët i kanë plotësuar kushtet.

Sipas Dakut, kriteri kryesor ka qenë që kushdo që aplikon për herë të parë në konkurs duhet të ketë të paktën një punim shkencor dhe në këtë mënyrë, sipas tij, Blerim Haziri e ka përmbushur kriterin.

Ndërkohë, pretendimet se Behar Haziri është punësuar për shkak të përkatësisë së tij politike në Lëvizjen Vetëvendosje, Daku i ka quajtur pretendime banale.

Kiks Kosova kontaktoi edhe anëtarët e tjerë të komisionit vlerësues, mirëpo përveç kryetarit, Dukagjin Leka, anëtarët e tjerë të komisionit si Shejnaze Gagica dhe Abdullah Azizi nuk ishin të qasshëm.

Kryetari Leka ka thënë se komisioni ka vlerësuar se gjatë intervistës Blerim Haziri ishte më i mirë se Behar Haziri, andaj edhe është vendosur në atë formë.

Të ngjashme