Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Dega në Junik, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të përfaqësuesve të LDK-së, duke i cilësuar ato si përpjekje të dëshpëruara për të mbuluar kontrabandimin e votave dhe manipulimin e procesit zgjedhor.
Në reagimin e AAK-së thuhet se “LDK-ja në Junik po përpiqet të shesë moral e dinjitet politik, ndërsa në fakt po mundohet të fshehë gjurmët e një procesi të komprometuar, që tashmë po vërtetohet në mënyrë të dokumentuar”.
AAK-ja thekson se është e detyruar të reagojë ndaj “fjalorit të ulët dhe deklaratave të pavërteta të z. Ruzhdi Shehu dhe disa përfaqësuesve të degës së LDK-së”, duke shtuar se qytetarët e Junikut “i kanë kthyer kurrizin politikës së vjetër dhe premtimeve boshe”.
“Z. Shehu flet për dinjitet e moral, ndërkohë që LDK-ja e tij është shndërruar në simbol të fushatave me shpifje, profile të rreme dhe thashetheme në rrjete sociale. Të njëjtët që sot përmendin bijat e Junikut për përfitime politike, kanë qenë ata që në çdo proces zgjedhor kanë manipuluar, blerë vota dhe shantazhuar qytetarë me poste e favore”, thuhet ndër të tjera në reagim.
AAK-ja ka mohuar kategorikisht se ka ofenduar ndonjë junikas apo bijë të Junikut, duke theksuar se qëndrimi i saj ka qenë dhe mbetet “kundërshtimi i kontrabandimit të votës dhe cenimit të vullnetit të lirë të qytetarëve”.
Në reagim AAK thotë se z. Agron Kuçi është magjistër i shkencave penale-juridike, kryetar i Kuvendit të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe profesionist me integritet të lartë.
Ndërkaq, përfaqësuesi i LDK-së, z. Ruzhdi Shehu, akuzohet se “si student i përjetshëm u diplomua pas më shumë se 25 vitesh në rrethana të dyshimta”, gjë që, sipas AAK-së, “nuk do të përmendej po të mos kishte tentuar të kontestonte profesionalizmin e të tjerëve”.
“AAK-ja nuk e ka zakon të merret me baltë politike. Ne kemi garuar me dinjitet dhe kemi fituar respektin e qytetarëve me punë, jo me fjalë. Balotazhi që na pret është dëshmi se qytetarët duan ndryshim të vërtetë, jo rikthim të dështimeve të vjetra që LDK-ja i ka lënë pas”, përfundon reagimi.
Aleanca në Junik i ka bërë thirrje z. Shehu që “të ndalë shpifjet në rrjete sociale dhe të përgatitet për garë të ndershme në balotazh”, duke shtuar se “AAK është gati për fitore të pastër, sepse ka me vete qytetarët, dinjitetin dhe të vërtetën”.
Në fund të reagimit, AAK-ja nënvizon se “Juniku meriton zhvillim konkret, qetësi dhe drejtësi – jo shpifje e provokime politike.”