Rasti 400 kg kokainë, i akuzuari Brahimi: Kam qenë vetë duke e shkarkuar mallin

Prishtinë | 30 Tet 2025 | 12:19 | Nga Gzim Mujaj

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur seanca gjyqësore ndaj pesë të akuzuarve në rastin e 400 kilogramëve kokainë të gjetura në produktet e pulës së ngrirë të kompanisë “MC FOOD”. Gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, i akuzuari Kadri Brahimi deklaroi se ka qenë ai që ka shkarkuar mallin nga kamioni, por nuk ka ditur asgjë për përmbajtjen e tij, raporton Ekonomia Online.

Gjatë ballafaqimit me pyetjet e Prokurorit Valdet Gashi, Brahimi tha se ishte njoftuar për mbërritjen e kamionit dhe kishte urdhëruar që kontejneri të vihej në rrymë për të mos u prishur malli.

“Po, më kanë lajmëruar dhe kam urdhëruar me hy në rrymë, me vendos kontejnerin në rrymë me punu frizi në mënyrë që malli mos të prishet. Mua më ka lajmëruar rojtari kur ka mbërritur kamioni me vend, në mënyrë që t’i vazhdoj procedurat e mia. Nëse kamioni është me urgjencë, atëherë procedohet në këtë mënyrë. Rastet janë me urgjencë se neve na vijnë kamionët e Evropës dhe kontejnerët janë me dënime për ndalesë. Shoferi i kamionit e njofton drejtorin e shitjes se është me urgjencë dhe më pas drejtori më njofton mua. Ky kamion nuk ka qenë me urgjencë”, tha Brahimi.

I pyetur nëse kujtonte datën kur kishte mbërritur kamioni, ai tha “Po, ka pasur një pako të kthimit me pomfrit dhe është dashtë me shku me vendos në frizë. Ka qenë ditë e shtunë”, tha ai.

Ndërsa në lidhje me numrin e kamionëve që kishin ardhur atë ditë, Brahimi tha se kanë qenë edhe dy.

“Po, kanë ardhur edhe dy të tjerë dhe të dy kanë qenë të Evropës”, tha ai.

Prokurori e ballafaqoi me një pjesë të deklaratës së mëparshme që kishte dhënë në Prokurori, ku kishte thënë se kishte ardhur vetëm një kamion.

“Sa më kujtohet mua, pyetja ka qenë vetëm për kamionët që kanë ardhur nga Durrësi,” tha Brahimi.

Ai po ashtu tregoi se malli ishte shkarkuar më 17 maj 2021.

“E hënë, me datën 17.05.2021,” tha ai.

I pyetur nga prokurori nëse kishte thirrur shoferin Fehmi Bytyqi për shkarkim, ai tha “Nuk jam i sigurt se kam pasur një problem familjar.”

Prokurori e pyeti më tej “A ju kujtohet sa kamionë kanë qenë duke u zbrazur atë ditë deri sa kanë ardhur policia?”

Brahimi tha: “Veç ai kamion.”

Në lidhje me procesin e shkarkimit, ai shtoi:

“Po, kam filluar nga ora 7 në mëngjes që ta shkarkoj mallin. Veç unë e kam shkarkuar mallin, sepse kam pasur një problem familjar dhe është dashur të kryhet më shpejt.”

Kryetari i trupit gjykues ndërhyri për ta sqaruar deklaratën, duke e pyetur pse e kishte bërë vet shkarkimin e mallit nëse nuk ishte detyra e tij.

“Aty nuk ka me emër, kush është më i lirë nga punëtorët e shkarkon mallin. Unë atë ditë kam qenë vetëm vet duke shkarkuar mallin,” u përgjigj Brahimi.

Në pyetjen e prokurorit nëse kjo nënkuptonte se ai ka qenë drejtues i punëtorëve për shkarkimin e mallit, ai u përgjigj se “Po, unë e kam drejtuar”.

Prokurori e pyeti gjithashtu nëse e kishte parë paletën ku ishte gjetur substanca narkotike, ku Brahimi tha se “Paletën e kam parë”.

Ndërsa për vendndodhjen e saj, shtoi se paletën e ka parë.

“Paleta po e kam parë, aty është me radhë se si shkarkohen paletat, se qysh i bie rend sipas kodit”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit përmes kompanisë “MC FOOD” kishin lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA” në Brazil për importimin e produkteve të pulës së ngrirë, ndërsa në brendi të pakove ishte vendosur substancë narkotike e llojit kokainë në sasi prej 400 kilogramësh.

Të ngjashme