Ismet Kryeziu ka dalë në mbrojtje të deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, pas polemikave që shkaktoi deklarata e saj për Listën Serbe.
Ai në një postim në Facebook tha se Bajrami është një nga deputetet më të zëshme në opozitë dhe se deklarata e saj ishte një referencë juridike që përputhet me Kushtetutën e Kosovës.
Sipas Kryeziut, deklarata është deformuar me qëllim për ta linçuar dhe etiketuar deputeten në rrjete sociale.
Po ashtu ai theksoi se ky është një “sulm i dyfishtë”, ku kombinohen gjuha nacionaliste dhe seksizmi për ta delegjitimuar një grua që kontribuon me zë, argument dhe substancë në debatin politik.
Reagimi i plotë:
Hikmete Bajrami është një ndër deputetet më të zëshme në opozitën kosovare. Deklarata e saj e fundit për Listën Serbe ishte një referencë juridike për komunitetin serb të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, ashtu siç e parasheh vetë Kushtetuta.
Por kjo pjesë e deklaratës e cunguar dhe deformuar me qëllim, po shfrytëzohet për ta linçuar dhe etiketuar nëpër rrjete sociale – një instrument klasik i përdorur nga oponentët dhe partizanët, sidomos kur duan të dëmtojnë figurën e dikujt pa debat përmbajtësor.
Në këtë rast sulmi është i dyfishtë: përdorimi i gjuhës nacionaliste për linçim politik dhe përdorimi i faktit që është grua për ta njollosur dhe delegjitimuar në hapësirën publike. Ky është shembull tipik i asaj se si nacionalizmi dhe seksizmi bashkëjetojnë në kulturën tonë politike, sidomos kundër grave që debatit politik i japin zë, argument dhe substancë.