DnV angazhohet në monitorimin e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash

Prishtinë | 08 Nën 2025 | 16:19 | Nga Ekonomia Online

Në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, që do të mbahet nesër më 9 nëntor, Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar se do të angazhohet në vëzhgimin e procesit zgjedhor përmes ekipeve monitoruese në disa komuna të vendit.

Sipas DnV-së, ky angazhim synon të kontribuojë në zhvillimin e një procesi zgjedhor të qetë, të rregullt dhe demokratik. Organizata thekson rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, pasi kryetarët që do të zgjidhen do të udhëheqin komunat për katër vitet e ardhshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve përmes shërbimeve publike, zhvillimit urban, arsimit dhe mirëqenies sociale.

“Pjesëmarrja e qytetarëve në votim është thelbësore për të siguruar që drejtimi i komunave të reflektojë vullnetin dhe interesat e banorëve”, thuhet në njoftimin e DnV-së.

Organizata u ka bërë thirrje subjekteve politike, përfaqësuesve të tyre, kandidatëve dhe mbështetësve që të respektojnë rregullat dhe standardet zgjedhore, duke shmangur çdo formë ndërhyrjeje apo ndikimi të paligjshëm në procesin e votimit.

Gjithashtu, DnV i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të garantojë një organizim të rregullt e transparent të procesit, ndërsa institucioneve të rendit dhe sigurisë publike që të sigurojnë një ambient të qetë e të sigurt për të gjithë votuesit.

“Zgjedhjet përbëjnë një moment kyç të pjesëmarrjes publike dhe të llogaridhënies demokratike, dhe roli i secilit qytetar është i rëndësishëm në forcimin e procesit dhe institucioneve të vendit”, thuhet më tej në njoftim.

Të ngjashme