Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka treguar për procesin e votimit në raundin e dytë të Zgjedhjeve Lokale 2025 deri në ora 11:00, e ku thuhet se kanë votuar 80,659 qytetarë, apo 6.13% e votuesve me të drejtë vote, nga gjithsej 1,316,672 qytetarë të regjistruar, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka bërë të ditur se në bazë të informacioneve nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa parregullsi që do të mund të ndikonin në integritetin e zgjedhjeve.
Gjatë kësaj konference, që është e dyta, KQZ ka njoftuar se është në komunikim të vazhdueshëm me trupat zgjedhore në terren, me qëllim të zbatimit të ligjit dhe respektimit të rregullave zgjedhore në çdo hap të procesit.
Sipas të dhënave preliminare të përmbledhura nga rreth 95% e vendvotimeve, deri në orën 11:00, në 18 komunat ku po mbahet raundi i dytë, kanë votuar 80,659 qytetarë, apo 6.13% e votuesve me të drejtë vote, nga gjithsej 1,316,672 qytetarë të regjistruar.
Në krahasim me raundin e parë, deri në të njëjtën orë, në këto komuna kishin votuar 99,765 votues apo 7.58% nga gjithsej 1,316,129 votues të regjistruar.
KQZ thekson se të dhënat e detajuara për pjesëmarrjen e votuesve në secilën komunë dhe në çdo qendër votimi janë të qasshme në platformën zyrtare të rezultateve.