Shoqatat e dala nga lufta thërrasin për protestë në Strasburg kundër Gjykatës Speciale

Prishtinë | 14 Nën 2025 | 19:49 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Koordinues i Shoqatave të dala nga Lëvizja dhe Lufta Çlirimtare e popullit shqiptar ka njoftuar thirrjen për një protestë më 16 nëntor 2025 në Strasburg.

Sipas komunikatës, protesta synon kundërshtimin e procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së, të cilin Këshilli e cilëson si të padrejtë, njëanshëm dhe politik.

Këshilli shpreh indinjatën ndaj veprimtarisë së Gjykatës Speciale dhe thekson se ajo po dëmton imazhin e Kosovës dhe besimin në drejtësinë ndërkombëtare.

Organizatorët kërkojnë shfuqizimin e rezolutës që çoi në krijimin e Gjykatës dhe rishikimin e gjithë procesit, duke theksuar se Lufta Çlirimtare e Kosovës mbetet vlerë historike dhe kombëtare.

Në fund, bëhet thirrje për unitet kombëtar, duke nderuar dëshmorët, luftëtarët e lirisë dhe kontributin e mërgatës shqiptare.

Të ngjashme