Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, dhe avokati Tomë Gashi kanë dhënë qëndrime krejt të kundërta lidhur me aktakuzën e ngritur ndaj ministres në detyrë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe disa zyrtarëve të tjerë.
Shala paralajmëron shkelje ligjore dhe ndërhyrje të hapur politike në drejtësi, ndërsa Gashi thotë se Prokuroria është konfuz dhe aktakuza është e paqartë.
Shala, në një intervistë për Ekonomia Online, ka shpjeguar edhe çfarë thuhet në aktakuzë, ku përmendet edhe Ridvan Muharremi “Ridi”.
“Fillimisht duhet të kemi kujdes, sepse këtu tani vlen prezumimi i pafajësisë. Kemi vetëm dyshimin e bazuar mirë ndaj ministres Rozeta dhe tre të tjerëve atje, të cilët janë të akuzuar për veprën penale për keqpërdorim të pozitës dhe zbulim të sekretit shtetëror. Këtu janë dy vepra penale për personat zyrtar, përveç Ridvanit, i cili është me një vepër për shkak se ka dhënë ndihmë për kryerjen e veprës penale. Sa i përket veprës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konsideroj se është lidhur një kontratë me një person të Turqisë, dhe në momentin kur është lidhur ajo kontratë, në bazë të çmimit të bursës, dallimi mes çmimit të bursës dhe kohës kur është lidhur kontrata është diku 200 euro, dhe sipas akuzës kemi të bëjmë me mosdorëzimin e një shumë të madhe të grurit si rezervë shtetërore. Sa i përket zbulimit të sekretit shtetëror, atëherë kemi të bëjmë me tre persona që i kanë zbuluar sekretet shtetërore Ridvan Muharremit. Këto janë bazat e aktakuzës“, tha Shala.
Ai theksoi se disa nga zyrtarët që përmenden në rast, sipas tij, janë në kundërshtim me ligjin për qeverinë, pasi nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe ministrit.
“Unë mendoj se këta nuk janë as ministria, sepse në bazë të ligjit për qeverinë nuk mundem mi ushtru dy detyra, të ministrit dhe të deputetit. Janë në kundërshtim me ligjin për Qeverinë dhe Kushtetuta nuk e lejon këtë, por sikur të atakoheshin vendimet e tyre, sikur që ishte rasti me udhëzimin administrativ të ministrit Hekuran Murati, në të cilin Gjykata Supreme e anuloj dhe të gjitha vendimet e tjera janë jokushtetuese“, theksoi ai.
Shala kritikoi ashpër edhe veprimet e kryeministrit dhe ministrave, duke thënë se po sulmojnë sistemin e drejtësisë dhe po ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit.
“Kemi këtu një shkelje të madhe nga ana e së pari të kryeministrit dhe më pas të ministrave, që e sulmojnë sistemin e drejtësisë, duke e parë që sistemi i drejtësisë është i pavarur dhe pushtetet janë të ndara: ekzekutivi dhe gjyqësori, dhe nuk lejohet ndërhyrja e ekzekutivit në sistemin e drejtësisë. Kemi vërejtje edhe nga ana e institucioneve ndërkombëtare, se kjo cilësohet si ndërhyrje, dhe prej momentit kur Kurti e mbrojti Krasniqin në KEK, më duket se më pas ka edhe dënim dhe të gjithë këta i ka mbrojtur. Në fakt, ky si kryeministër duhet të jetë shembull, dhe deri sa të vendoset drejtësia duhet të largohen nga detyra, sepse me këtë kauzë kanë ardhur në pushtet, që mos të ketë asnjë ministër e asnjë zyrtar me akuzë në funksionet shtetërore. Por këta kanë vazhduar krejt të kundërten. Kemi rastin kur Kurti nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës, kur është dënuar dy herë nga 250 euro për shkak se nuk ka shkuar të japë dëshmi dhe të kontribuojë në sistemin e drejtësisë“, shtoi ai.
Ndërkohë, avokati Tomë Gashi ka deklaruar për Ekonomia Online se ende mungon qartësia ligjore rreth aktakuzës dhe se pretendimet e Prokurorisë mund të jenë të kontestueshme.
“Ne nuk kemi informata se çfarë ka në atë aktakuzë, vetëm ditën e djeshme që është bërë publike nga Prokuroria Speciale, mirëpo duket që as ajo vet nuk e din, për shkak se vjen koha kur gjykata e dorëzon. Nuk e din arsyen për ngritjen e kësaj aktakuze. Me sa e di, ajo publikisht ka deklaruar se nuk ka refuzuar të japë deklaratë në Prokurorinë Speciale, mirëpo janë ligje të veçanta që kanë të bëjnë me çështjen konkrete të rezervave shtetërore, sepse ato janë me ligj të veçantë të parapamë. Për këtë arsye, deri sa të deksalifikohet faktikisht ajo, deri sa nuk bëhet e mundshme të japë deklaratë, ajo nuk ka mundur të japë deklaratë në prokurori, se do të ishte vepër e veçantë penale. Janë situata juridike që duket se nuk i ka të qarta as Prokuroria, as prokurori konkret i rastit, meqë duhet të besojmë nëse kemi të bëjmë me një çështje konkrete që është sekret shtetëror. Atëherë janë situata të veçanta kur dikush mund të deklarohet ose jo para një prokurori i cili nuk di a ka pas të drejtë të tentojë të marrë një deklaratë të tillë, dhe besoj se këto mund të sqarohen gjatë gjykimit të ardhshëm nëse do të kemi gjykim. Arsye pse po e them këtë është se nëse kjo shkon te gjyqtari konkret, atëherë secili ka të drejtë të kundërshtojë aktakuzën dhe provat, dhe pastaj gjyqtari vendos nëse do ta pranojë një kërkesë të tillë për hedhje të aktakuzës apo jo. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë shkojmë në gjykim të rregullt. Është tepër e vështirë të komentojmë diçka që nuk e kemi parë. Duhet të presim më konkretisht, e cila së paku në opinione të caktuara mund të ketë ngjyrime politike, por prapë duhet të presim çfarë do të vendos gjykata“, tha ai.
Gashi gjithashtu komentoi çështjen e dorëheqjeve pas ngritjes së aktakuzës.
“Mendoj që standardet që e proklamojnë politikanët te qytetarët, të çfarëdo nivele që dikush duhet të japë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës, besoj që juridikisht nuk qëndron. Duhet të japë dorëheqje apo të shkarkohet vetëm një person, çfarëdo pozite që mban, nëse ai shpallet fajtor me aktgjykim të plotfuqishëm. Kemi pasur një mori rastesh kur është ngritur një aktakuzë dhe personi ka shkuar në gjykata dhe gjykime, dhe në fund personi është liruar i pafajshëm, mirëpo dëmi që mund të krijohet nëse nuk ka një bazë të fuqishme, që provat konkrete që Prokuroria pretendon ta vërtetojë fajësinë e dikujt, duhet të jetë shumë bindëse“, theksoi avokati.
Ai shtoi se në këtë proces mund të ketë edhe elemente politike.
“Mendoj që ka premisa të luftës kundër Vetëvendosjes, edhe me përdorim të institucioneve të Prokurorisë, sepse dihet që Lëvizja Vetëvendosje, prej se ka marrë pushtetin në Qeverinë Kurti 2, janë dërguar 250 kallëzime penale, dhe vlera e tyre është milionëshe dhe mund të jenë qindra miliona që mund të jenë keqpërdorur. Dhe deri më tani nuk kemi parë ndonjë deklarim publik të Prokurorisë se çfarë është duke ndodhur me ato kallëzime penale që janë rreth 250. Ndërsa në anën tjetër, me deklarime dhe prova, le të themi gjysmë-prova, lehtësisht po vendoset të ngritet një aktakuzë, por duhet të presim epilogun gjyqësor“, tha Gashi.
Prokuroria Speciale e Kosovës e ka dorëzuar të martën në Gjykatën Themelore një aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj tre të tjerëve, për keqpërdorimin e dyshuar të rezervave shtetërore.
Prokuroria tha se Hajdari dhe dy zyrtarët, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, dyshohen se bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.
Buxheti i shtetit ka pësuar një dëm prej rreth 3 milionë eurove si pasojë e veprimeve të tyre, tha Prokuroria në një njoftim. Ata dyshohet se asokohe kishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, që nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.
E pasditen e 14 nëntorit, Hajdari e ka cilësuar si “tendencë politike” ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, aktakuzën e ngritur kundër saj dhe tre të tjerëve për keqpërdorimin e dyshuar të rezervave shtetërore.
“Çdo pretendim i Prokurorisë Speciale nuk qëndron dhe vetëm afirmon tendencën politike të kësaj Prokurorie ndaj Qeverisë Kurti. Çdo pretendim tjetër është pohim në dobi politike që është i palejueshëm dhe i pamoralshëm, duke marrë parasysh periudhën kur ndodheshim ne më 2022”, tha Hajdari në një konferencë për media të premten.
Hajdari dhe dy zyrtarë të Ministrisë së saj, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, dyshohen se në bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar 3 milionë euro dëm buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.
Ajo tregoi se kanë paditur gjithashtu edhe dy zyrtarë policorë, të cilët kishin mbledhur prova gjatë bastisjes në zyrat e Ministrisë në vitin 2023.
Më 2023, tre persona u arrestuan për rastin e rezervave shtetërore, përfshirë Garën, drejtor i departamentit të rezervave shtetërore, dhe Lipovicën, drejtor i departamentit për integrime evropiane.
Në këtë Ministri, më 2023, u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku ishte pretenduar se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.
Hajdari ka thënë se blerjet për rezerva shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin, por nuk ka dhënë më shumë hollësi, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.
Ajo e ka akuzuar policinë se gjatë bastisjeve ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Si dëshmitar për këtë rast është thirrur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por deri më tani nuk ka pranuar të shkojë në Prokurorinë Speciale, duke ngulur këmbë të japë dëshminë në Kryeministri.
Kurti ka dalë në mbrojtje të Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

