Deputeti i PDK-së, Artan Behrami ka reaguar në lidhje me kanalin e emisionit satirik “Logjikonomia” e cila është fshirë në Youtube, e që pretendohet se ka të bëjë me episodin ku bëhej humor me fushatën e kryeministrit Albin Kurti dhe me simpatizantët e tij.
“Shpresoj që organet e sigurisë së shtetit të Kosovës, të okupuara nga Albin Kurti, të mos jenë të përfshira në fshirjen e kanalit Logjikonomia në Youtube. Megjithatë, pas inxhinieringut shtetëror shumë të sofistikuar për të manipuluar zgjedhjet në Mitrovicë, as kjo nuk do të më befasonte. Shenjat e para të autoritarizmit shfaqen pikërisht atëherë kur institucionet shtetërore instrumentalizohen kundër mediave, satirës dhe kundërshtarëve politikë”, ka shkruar Behrami.