Çitaku nuk tregon a ka kandidat tjetër për kryetar të PDK-së: Pas këtij procesi PDK do të jetë edhe më e bashkuar

Prishtinë | 17 Nën 2025 | 16:08 | Nga Ekonomia Online

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku nuk ka bërë të ditur nëse ka tjetër kandidat për kryetar të këtij subjekti politik, përveç Bedri Hamzës, ndonëse edhe Enver Hoxhaj shprehi gatishmërinë për këtë post, raporton Ekonomia Online.

Ajo pak para se të fillojë edhe Konventa e PDK-së kur pritet të votohet për kryetarin e ri, meqenëse Memli Krasniqi ditë më parë dha edhe dorëheqje nga ky funksion, tha se PDK do të jetë edhe më e bashkuar dhe më e unifikuar për t\u përballur me zgjedhjet.

 “PDK është parti me emrin e së cilës identifikohet procesi i shtendërtimit të Kosovës. Sot po hyjmë në një etapë të re, pas këtij procesi PDK do të jetë edhe më e bashkuar, edhe më e unifikuar për t’u përballur me zgjedhjet e përgjithshme që na presin. Fitoren nuk e shohim brenda llojit, fitoren e vërtetë e kemi pas zgjedhjeve parlamentare”, tha ajo duke mos bërë të ditur nëse ka kandidat tjetër përveç Bedri Hamzës për kryetar.

Qalaj: Hamza është njëri nga kandidatët më të suksesshëm të PDK-së, respekt edhe për Hoxhajn

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka thënë se kandidati për kryetar të kësaj partie është Bedri Hamza, por thekson se edhe Enver Hoxhaj gëzon respektin e tij, raporton Ekonomia Online.

Derisa pritet të mbahet Konventa e kësaj partie për të zgjedhur edhe kryetarin e ri, Qalaj tha se do të jenë përkrahës të cilitdo që bëhet kryetar, duke shtuar se shpresojnë që PDK do të jetë shumë më e fortë.

“Është më rëndësi të zgjidhet kryetari dhe pastaj kryetari sigurisht që do të dalë në publik me planet dhe objektivat e tij. Ne do të jemi përkrahës të mëdhenj të gjithë atyre propozimeve që bën kryetari. Shpresoj që PDK do të jetë shumë më e fortë, shumë më e konsoliduar dhe gjithë së bashku do të kemi rezultat shumë më të mira në zgjedhjet e ardhshme”, tha Qalaj.

Ai tha se Hamaza është  nëjri nga kandidatët më të suksesshëm të PDK-së.

“Konsideroj që Hamza është për momentin dhe do të jetë njëri nga kandidatët më të suksesshëm të PDK-së. Respekt edhe për Hoxhajn edhe për të tjerët, se kushdo që të zgjidhet kryetar sot do të jetë kryetari im”, nënvizoi ai.

Më 12 nëntor në një konferencë për media, Memli Krasniqi kumtoi lajmin se ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i këtij subjekti politik.

“Sot, pas shumë kohe reflektimi, ka ardhur momenti i duhur, prandaj sot kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë. Ky vendim nuk është as i momentit dhe nuk lidhet vetëm me zhvillimet e fundit. Është reflektim i gjatë i imi mbi atë se çfarë i duhet më shumë partisë në fazën e ardhshme’, tha Krasniqi në konferencën për media.

Ai tha edhe preferencën e tij, ndonëse tentoi të tregohej i rezervuar kur u pyet për emrin e ri në këtë pozitë.

Të ngjashme