Delegacioni i AKB-së dhe Avdullah Hoti vizitojnë fabrikën “Euro Metal” në Ferizaj në kuadër të Javës së Bizneseve Kosovare 2025

Prishtinë | 26 Nën 2025 | 13:33 | Nga Ekonomia Online

Një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), i udhëhequr nga kryetari Agim Shahini, së bashku me ish-Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, vizituan sot fabrikën për përpunimin e çelikut “Euro Metal” në Ferizaj, me pronar  Njazi Musliu. Vizita u realizua në kuadër të aktiviteteve të Javës së Bizneseve Kosovare 2025.

Gjatë vizitës, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi rëndësinë strategjike të prodhimit vendor për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Prodhimi vendor është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Jemi këtu për të falënderuar kompaninë ‘Euro Metal’ e cila, me mbi 70% të prodhimit të eksportuar, po kontribuon drejtpërdrejt në përmirësimin e bilancit tregtar të vendit,” theksoi Shahini.

Nga ana tjetër, ish-Kryeministri Avdullah Hoti deklaroi se përkrahja e prodhuesve vendorë duhet të jetë prioritet i secilës qeveri.

Mbështetja e prodhimit vendor do të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisë së ardhshme. Bizneset prodhuese janë motor i rritjes ekonomike dhe punësimit në vend,” u shpreh Hoti.

Pronar i kompanisë “Euro Metal”, Njazi Musliu, falënderoi delegacionin për vizitën dhe vëmendjen e dhënë sfidave të sektorit prodhues. Ai theksoi se kostoja e lartë e energjisë elektrike mbetet një nga pengesat kryesore për konkurrueshmërinë e bizneseve.

“Çmimi i energjisë elektrike është rritur mbi 200% dhe kjo na ka nxjerrë jashtë konkurrencës reale në tregjet ndërkombëtare,” u shpreh Musliu.

Delegacioni u zotua se do të adresojë shqetësimet dhe rekomandimet e prodhuesve brenda politikave ekonomike dhe platformave të bashkëpunimit me bizneset.

Të ngjashme