Komandanti i lartë i NATO-s nga SHBA-ja, Alexus Grynkewich, ka deklaruar se Evropa “nuk ka nevojë për kaq shumë trupa amerikane” dhe se kontinentit do t’i shkojë “për mrekulli” edhe nëse SHBA-ja redukton praninë e saj ushtarake.
Këto komente vijnë në një moment kur shqetësimet për strategjinë e re të mbrojtjes së presidentit amerikan, Donald Trump, janë në rritje. Strategjia e tij parashikon të tërheqë forcat amerikane nga Evropa dhe t’i zhvendosë ato në Indo-Paqësor. Hapat e parë janë tashmë realizuar: një muaj më parë, SHBA-ja tërhoqi 800 trupa nga Rumania, raporton Politico.
Dyshimet mbi besueshmërinë e Uashingtonit po shtohen, pasi Trump ka shprehur dyshime për Nenin 5 të NATO-s, ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si aleanca duhet të reagojë ndaj një sulmi rus ndaj Polonisë dhe vazhdon të ushtrojë presion ndaj aleatëve për shpenzimet e mbrojtjes.
Një sinjal tjetër shqetësues vjen nga mungesa e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s, një rast pothuajse i paprecedentë.
Ndërkohë, inteligjenca evropiane paralajmëron se Rusia mund të sulmojë një vend të NATO-s para përfundimit të këtij dekade, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin një herë tjetër ka deklaruar se është “i gatshëm” për luftë me Evropën.