Tranzicioni i pushtetit në veri, Ambasada e Gjermanisë: Sinjal i rëndësishëm i deeskalimit të mëtejmë

Prishtinë | 05 Dhj 2025 | 18:15 | Nga Ekonomia Online

Kalimi i qetë dhe pa probleme i pushtetit nga kryetarët shqiptarë te ata serbë në katër komunat veriore të vendit u mirëprit edhe nga ambasada gjermane në vend. Ky kalim po shihet si një sinjal të rëndësishëm të shtensionimit të mëtejshëm atje.

Në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq sot u betuan kryetarët e rinj të Listës Srpska që fituan në zgjedhjet lokale. Seancat inauguruese u mbajt në prani të simboleve shtetërore të Kosovës edhe pse në disa raste u panë edhe flamuj serbë.

Këtë kalim të qetë të pushtetit në komunat që vitet e fundit ishin qendër tensioni u përshëndet nga misionet e huaja në vend.

“Na vjen mirë të shohim një tranzicion të qetë dhe të rregullt të qeverisjes komunale sot. Kjo përbën një sinjal të rëndësishëm të shtensionimit të mëtejshëm në veri”, tha ambasada gjermane në një përgjigje për Gazetën Express.

Sidoqoftë, në pyetjen nëse ka ardhur koha që Bashkimi Europian t’i heqë masat ndëshkuese plotësisht ndaj Kosovës pas kësaj ngjarje, ambasada s’u përgjigj direkt.

Komunat veriore deri më tani u udhëhoqën me kryetarë shqiptarë që nga maji i 2023-ës pasi kryetarët e Listës Srpska kishin dhënë dorëheqjen e tyre në nëntor të 2022-ës në shenjë revolte për vendimet e atëhershme të Qeverisë së Kosovës.

Për shkak të tensioneve që u pasuan kur kryetarët shqiptarë u vendosën në krye të këtyre komunave, BE e ndëshkoi Kosovën me masa.

Por, pas qetësimit të situatës atje, Unioni filloi t’i heqë masat gradualisht në maj të këtij viti.

Ngjarjes së sotme të betimit të udhëheqësve të rinj nëpër komuna iu gëzua edhe ambasada britanike, e cila në një përgjigje për Express më herët tha se inkurajon autoritet lokale për bashkëpunim me ato qendrore.

Të ngjashme