Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka thënë se forca shtetërore është e qëndrueshme vetëm kur profesionistët e sigurisë kanë mbështetjen e plotë institucionale. Ai ka theksuar se prioritet i programit të AAK-së është përmirësimi i kushteve të punës dhe ndalimi i ikjes së pjesëtarëve të sigurisë nga vendi.
“Për ty që shërben në siguri: krah teje jemi!”, ka deklaruar Ramadani në një postim publik, duke renditur disa prej hapave që, sipas tij, partia synon t’i zbatojë për ta mbështetur këtë kategori.
Sipas Ramadanit, programi i AAK-së parasheh “mirëqenie të punonjësve të sigurisë, rritje të pagave në mënyrë vjetore, mundësi të karrierës, si dhe kushte të avancuara të punës në FSK, Polici dhe në të gjithë sektorin e sigurisë”. Ai ka shtuar se këto masa synojnë jo vetëm përmirësimin e gjendjes aktuale, por edhe parandalimin e ikjes së profesionistëve të sigurisë nga Kosova.