Djali i Jakup Krasniqit sërish ia mësyn garës për deputet

Prishtinë | 06 Dhj 2025 | 14:36 | Nga Ekonomia Online

Djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, Altin Krasniqi do të garojë sërish për deputet në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.

Altin Krasniqi në një postim në Facebook ka shkruar se rikandidimi i tij është vazhdimësi e një rrugëtimi të nisur herët, bazuar në traditën familjare të shërbimit dhe sakrificës për vendin.

“Dua t’ju njoftoj se në këto zgjedhje do të jem sërish kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës. Kandidimi im është vazhdimësi e një rrugëtimi që ka filluar shumë kohë më parë, në një familje ku shërbimi ndaj vendit ka qenë gjithmonë mbi gjithçka. Duke ardhur nga një traditë sakrifice dhe përkushtimi, besoj se secili prej nesh ka një obligim moral për t’i dhënë Kosovës më të mirën e tij. Sot rikandidoj për t’ju përfaqësuar me ndershmëri, integritet dhe punë të palodhur. Kam bindjen e thellë se Kosova mund dhe duhet të ecë përpara. Dhe me mbështetjen, unitetin dhe besimin tuaj, mund të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë, më stabile dhe më të sigurt për gjeneratat që vijnë”, ka shkruar ai.

Kjo është hera e dytë që Altin Krasniqi kandidon për Kuvendin e Kosovës, pasi kishte garuar edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Të ngjashme