Kosova ka shpenzuar mbi 800 milionë euro për import të energjisë vetëm gjatë pesë viteve të fundit, ka deklaruar ish-deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, duke kritikuar qeverinë për, siç thotë ai, keqmenaxhim në sektorin energjetik.
Zogaj ka theksuar se vetëm gjatë vitit 2025, vendi ka paguar afro 250 milionë euro për energji të importuar.
“Sipas të dhënave, vetëm këtë vit, janë paguar 247 milionë euro për rrymë të blerë jashtë vendit,” ka shkruar ai.
Ai shton se shpenzimet e përgjithshme të pesë viteve të qeverisjes aktuale kapin shifrën mbi 800 milionë euro.
“Kosova, vetëm në pesë vitet e kësaj qeverie populiste, ka shpenzuar 811 milionë euro për import të energjisë,” ka deklaruar Zogaj.
Në total, sipas tij, shifra po i afrohet një miliard eurove – para që, sipas Zogajt, është dashur të investoheshin në rritjen e kapaciteteve vendore.
“Këto para do të duhej të ishin investuar në prodhim të energjisë në vend, në zhvillim të kapaciteteve të reja,” ka theksuar ai, duke shtuar se vendi vazhdon të mbetet “ndër më të varfërit në Evropë”.
Zogaj ka ngritur shqetësimin për atë që e quan skemë të dyshimtë të menaxhimit të importit të rrymës.
“Një miliard euro që kanë përfunduar në një skemë të errët energjetike, nga e cila fitojnë disa, kurse dëmtohet qytetari i Kosovës,” ka deklaruar ai.