Ish-deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka publikuar një video nga intervistimi i ish-shefit të KOSTT-it para një komisioni parlamentar sa ajo ishte deputete.
Ajo ka thënë se gjatë pesë viteve të fundit, sistemi i energjisë është keqpërdorur me të madhe dhe tash qytetarët po i vuajnë pasojat.
Sipas saj, ish-kryeshefi i KOSTT-it po bllokonte projektet duke kërkuar specifikacione teknike 3-4 muaj para rishikimeve të brendshme.
“Gjatë pesë viteve të fundit, sistemi i energjisë është keqpërdorur në mënyrë të madhe dhe pasojat po i paguajmë të gjithë. Para një viti, si anëtare e Komisionit për Ekonomi, Industria, Ndërmarrësi dhe Tregti, mësova se ish‑kryeshefi i KOSTT po bllokonte projektet duke kërkuar specifikacione teknike 3–4 muaj përpara për “rishikime” të brendshme. E pyeta personalisht, ai e mohoi, por dokumentet tregojnë qartë se kjo ishte shkelje e Rregullores për Prokurimin Publik”, ka thënë ish-deputetja.
“Këto vonesa penguan realizimin në kohë të projekteve energjetike. Këto bllokada në KOSTT dhe në ndërmarrjet e tjera të sektorit të energjisë e kanë çuar Kosovën sot në këtë situatë. Pasojat i paguajnë qytetarët dhe bizneset përmes çmimeve të larta të energjisë. Shtrenjtimi nuk është rastësi është rezultat i vendimeve të gabuara dhe keqpërdorimeve brenda institucioneve”, ka thënë ajo.
“Publiku ka të drejtë të dijë kush ka penguar projektet dhe sa ka kushtuar kjo. Energjia nuk duhet të bëhet luks për faj të procedurave të bllokuara”, ka insistuar Bunjaku-Rexhepi.