Nisma shkon e vetme në zgjedhje, Limaj thotë se bashkimi me PDK-në bëhet në Parlament

Prishtinë | 07 Dhj 2025 | 21:48 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, deklaroi se kjo parti do të garojë e vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit me 110 deputetë, raporton Ekonomia Online.

Megjithëse tha se nuk ka ndodhur bashkimi me PDK-në, Limaj premtoi se ai dhe të besuarit e tij do të vazhdojnë rrugën dhe nëse Nisma hyn në Parlament, ai është i shprehur i gatshëm të bashkohet me ta.

Siç tha ai, apeli i tij është për të gjithë ata që duan ndryshimin e qeverisjes dhe për të gjithë ata që mendojnë se vendi po shkon në drejtim të gabuar.

“Ne do të përpiqemi deri në sekondat e fundit. Motoja e jetës sime është se shpresës i duhet guxim. Atë bashkim që e keni pritur, ne jemi munduar t’ia japim Kosovës. Ky bashkim nuk ka ndodhur, por kjo është vetëm një fazë”.

“Unë, së bashku me bashkëpunëtorët e mi, nuk do të ndalemi me të gjithë ata që e duan bashkimin, sepse na presin detyra edhe më të mëdha. Bashkimin që e do populli, s’mund ta ndalë askush. Meqë ky bashkim nuk po ndodh në këtë fazë, le të ndodhë më vonë”.

“Nisma garon në zgjedhje me 110 burra e gra. Me 15 mijë vota shtesë, ne mund të marrim gjashtë deputetë, dhe kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë ata që duan ndryshimin e qeverisjes. Apeli im është për të gjithë ata që duan ndryshimin e qeverisjes dhe për të gjithë ata që mendojnë se vendi po shkon në drejtim të gabuar.”

“Jam i bindur, nëse NISMA do të jetë në parlament, me grupin e vet parlamentar, do t’i bashkohemi bashkimit. Do të jemi bashkë me shokët, me shoqet, me gjithë ata që kanë kërku bashkimin me grupin parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës”, deklaroi Limaj, 

Të ngjashme