Qëndrim Kryeziu, pjesë e listës së PDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Prishtinë | 08 Dhj 2025 | 14:19 | Nga Ekonomia Online

Në listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për zgjedhjet e parakohshme  të Kuvendit të Kosovës që do të mbahen me 28 dhjetor do të jetë edhe Qëndrim Kryeziu, i cili mban numrin 103.

Pavarësisht se sheh një betejë jo të lehtë, megjithatë, Kryeziu thotë se në këtë kohë të trazuar, indiferenca është dorëzim.

Ai ka theksuar se rezistenca ndaj të keqes mbetet obligim.

“Jam plotësisht i vetëdijshëm se kjo betejë nuk është aspak e lehtë. Por në këtë kohë tejet të trazuar për Kosovën, indiferenca është dorëzim, neutraliteti pajtim, dhe tërheqja miratim. Prandaj, angazhimi nuk është asgjë tjetër pos detyrim shtetëror e kombëtar. Rezistenca ndaj të keqes mbetet obligim. Tipare këto që i kanë veçuar edhe rrënjët e familjes sime, për shkak të përkushtimit ndaj atdheut që nga Lidhja e Prizrenit, pjesëmarrja në kryengritjet e Azem Bejtës e deri te kontributi në aksionin e Pajtimit të Gjaqeve, si dhe formimin e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës — formacion ky nga i cili agoi liria e shumëëndërruar për shqiptarët e Kosovës. Personalisht, që në moshë të re jam kyçur në botën e biznesit, duke u bërë njëri nga sipërmarrësit më të rinj në vend. Së pari, kam besuar në fitimin e pavarësisë personale dhe së dyti, se investimet në ekonomi janë ato që i duhen Kosovës së çliruar e të pavarur si shtet i ri. Sepse hapja e vendeve të reja të punës është çelësi magjik për të ardhmen e këtij vendi! Por sot, më shumë se kurrë, këto ideale janë duke u rrezikuar. Me një qeveri të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin, që e ka armiqësuar shtetin me aleatët strategjikë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i ka shpallur luftë të hapur bizneseve, duke e shndërruar qeverisjen në mjet për pasurim personal përmes abuzimeve me energjinë. Qasje kjo që është duke e kërcënuar të ardhmen e këtij vendi. Zhgënjimi, dëshpërimi dhe pasiguria kolektive janë bërë disponim shoqëror”, ka shkruar Kryeziu.

Më tej ai thotë se “Kjo situatë nuk mund të kurohet vetvetiu. Ajo mund të korrigjohet vetëm nën drejtimin e vendit nga një lider i dëshmuar si Bedri Hamza. Nën udhëheqjen e tij, fitorja është e sigurt! Por ajo nuk do të jetë një triumf i thjeshtë elektoral për PDK-në, por e vetmja mundësi që ka mbetur për shpëtimin e Kosovës nga e keqja që e ka pllakosur!”.

Të ngjashme