Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Qëndrim Kryeziu, ka numëruar disa nga arsyet që dërguan që ai t’i futej garës për zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës që do të mbahen me 28 dhjetor 2025, për çka ka vlerësuar se zgjedhja e Bedri Hamzës në krye të Qeverisë do të rregullojë jetën në Kosovë dhe do të forcojë ekonominë, raporton Ekonomia Online.
Kryeziu në një intervistë e ka përshkruar Hamzën si njeriun që ka dëshmuar se bën ndryshimin prej burrështetasit.
Ai ka vënë në fokus çështjet ekonomike, për çka tha se do ta ndihmojë Hamzën në këto pika meqë tashmë i di edhe problemet me të cilat përballet qytetari i Republikës së Kosovës.
“Jeta në Kosovë do të rregullohet dhe do të ndërtohet vetëm me ardhjen e Bedri Hamzës si kryeministër, gjë që ka dëshmuar Hamza në të kaluarën sepse është kryeministri i parë që ka rritur pagat. Kanë qenë paga shumë të vogla kur i ka ngritur Bedri Hamza. Pse i kam hyrë garës në politikë? Për të ndihmuar Bedriun në aspektin ekonomik, sepse e di ku janë vështirësitë dhe problemet e të gjithë bizneseve në vendin tonë. Një prej arsyeve kryesore që jam futur në politikë është t’u ndihmoj bizneseve dhe punëtorëve dhe ta ndërtojmë këtë vend. Kandidati më i mirë i mundshëm i gjithë kohërave është Bedriu; është vizionar, largpamës, financieri më i mirë i mundshëm dhe di çdo gjë se çka i duhet vendit, është edhe i pranueshëm ndërkombëtarisht”, deklaroi Kryeziu.
Kryeziu i ka idetë e qarta se ku do ta vë fokusin.
“E duam të gjithë, për punën e vet është i shkëlqyer. Kam hyrë me idenë dhe projektin që sektori privat ta ketë pagën e 13-të. Punëtorët e sektorit privat, motorri i ekonomisë së Kosovës, duhet t’i jepet frymë, dëshirë për të punuar dhe për të jetuar. Atyre duhet t’u ndihmohet secilit biznes në Kosovë. Për ta bërë këtë duhet të ketë një plan që ne PDK e kemi dhe jemi të gatshëm të ofrojmë punëtorëve. Të gjitha produktet po na vijnë nga Serbia; deri në shtator kemi të dhënat zyrtare të shtetit të Kosovës që janë diku 606 milionë euro që janë blerë. Ai thotë ‘Albini duaje tënden’; kjo është diçka e jashtëzakonshme, nuk mund t’ia merr mendja askujt”, shtoi ai.
Qëndrim Kryeziu në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 do të garojë me numrin 103 në listën e deputetëve të PDK-së.
