Një grabitje e rëndë ka goditur Muzeun e Bristolit në Britaninë e Madhe, ku mbi 600 artefakte që lidhen me Perandorinë Britanike dhe Komonuelthin janë vjedhur gjatë natës së 25 shtatorit. Policia britanike ka konfirmuar se katër persona të panjohur kanë hyrë në ndërtesë në mesnatë dhe kanë marrë një numër të madh sendesh me vlerë të konsiderueshme historike dhe kulturore.
Autoritetet kanë publikuar imazhe CCTV të të dyshuarve, duke bërë thirrje për informacion nga publiku. Sipas detektivit Dan Burgan, i cili po drejton hetimet, bëhet fjalë për një humbje të madhe për qytetin dhe për historinë që mbante ky koleksion.
“Grabitja e shumë sendeve që kanë një vlerë të konsiderueshme kulturore përbën një humbje të madhe për qytetin. Këto sende, shumë prej të cilave ishin dhurata, janë pjesë e një koleksioni që ofron njohuri mbi një pjesë të shumëfishtë të historisë britanike”, deklaroi Burgan.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo informacion që mund të çojë në identifikimin e autorëve, duke theksuar rëndësinë e rikthimit të artefakteve të humbura në muze.
Hetimet po vazhdojnë, ndërsa autoritetet besojnë se grabitja ishte e planifikuar dhe e koordinuar mirë./KultPlus