Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka bërë të ditur se Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike ka refuzuar aplikimin e tij për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
IKD vlerëson se vendimi është pa arsyetim, në kundërshtim me parimet e ligjshmërisë dhe transparencës, dhe se i mohon organizatës të drejtën për të ushtruar mjetet juridike për ankimin e vendimit.
Sipas IKD-së, arsyetimi se organizata nuk i plotëson kriteret ligjore është arbitrar dhe bie ndesh me praktikën e mëparshme të KQZ-së dhe standardet ndërkombëtare për vëzhgimin zgjedhor.
Organizata thekson se Zyra e KQZ-së nuk ka mandat të refuzojë aplikime, por vetëm të bëjë rekomandime për KQZ-në, e cila është organi vendimmarrës.
IKD paralajmëron se do të ndjekë të gjitha procedurat administrative dhe ligjore për të kundërshtuar vendimin dhe kërkon nga KQZ rishqyrtim të praktikave të saj dhe rritje të profesionalizmit.