Supremja anulon vendimin e KPK-së për shkarkimin e UD Kryeprokurorit të Shtetit Besim Kelmendin

Prishtinë | 17 Dhj 2025 | 11:12 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e paraqitur nga Besim Kelmendi, U.D. Kryeprokurori i Shtetit dhe ka anuluar vendimin KPK.nr.1056/2025, të datës 20 nëntor 2025, si të kundërligjshëm. Lënda i është kthyer Këshillit Prokurorial të Kosovës në rishqyrtim dhe rivendosje.

Gjykata Supreme e Kosovës, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore lidhur me vendimin e atakuar, në mbështetje të nenit 15, të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ka gjetur se ankesa është e bazuar.

Meqenëse vendimi mbi shkarkim është marrë bazuar në pretendimet se U.D i kryeprokurorit të shtetit, përmes deklarimeve në Këshill dhe media ka shprehur qëndrim të njëanshëm, të cilat qëndrime dhe deklarime kanë denigruar pozitën e tij dhe kanë cenuar besimin e sistemit prokurorial dhe të publikut, janë elemente të përgjegjësisë disiplinore që përfshihen në kuadër të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Gjykata Supreme e Kosovës nisur nga kjo gjendje e çështjes, vlerëson se qëndrimi dhe përfundimi juridik i Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk është i drejtë dhe i ligjshëm. Kjo, pasi që vendimi i atakuar është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës  të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, dhe Kodit të Etikës Profesionale për Prokurorë.

Sipas Gjykatës Supreme vendimi i atakuar është i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë, sepse është kontradiktor në vetvete nga fakti se ku mbështetet një vendim i tillë (baza ligjore), dhe kjo krijon pasiguri se si ka mundësi një organ i tillë të merr vendime pa bazë ligjore specifike dhe referuar në dispozita që nuk i japin autorizime të veprojë në formën dhe mënyrën se si ka vepruar. Pra është procedurë e pa mbështetur në ligj dhe atë që nga fakti i rendit të ditës, caktimit të të njëjtit, ndryshimit të rendit të ditës,  votimit, procedimit, përfundimit, rihapjes apo takimit të ri deri te vendimi i atakuar për shkarkim.

https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP_AA%20_124_2025_SQ.pdf?fbclid=IwY2xjawOvYKVleHRuA2FlbQIxMABicmlkETFqTXN5TE5HM1VIU2txWlBnc3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHl2aPMcMbrXAm7B9zXfqbrbVWsgkeGuQggRHa9zfAkX09zogjVOoSUlFUNQH_aem_DmKVU0ufvQPlyVP-Y4VR9A

Të ngjashme