Arrestohen tre persona për degradim të mjedisit, tentuan të eksploatonin zhavorr përreth Drinit të Bardhë

Prishtinë | 17 Dhj 2025 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka bërë të ditur se janë arrestuar në flagrancë tre persona, pasi ishin kapur në flagrancë të mërkurën duke tentuar të esploatonin zhavorr përreth lumit Drini i Bardhë. 

U tha se lidhur me rastin ka sekuestruar një kamion dhe një eskavator. 

“Personat e arrestuar, gjenden në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 338, dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Prokuroria Themelore në Prizren, do të vazhdojë të jetë vigjilente dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar aktivitete të paligjshme që mund të shkaktojnë dëm të madh për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve. Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prizren apelon për angazhimin e të gjithëve në mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së resurseve natyrore dhe respektimit të ligjit për një të ardhme më të qëndrueshme”, ka njoftuar Prokuroria Themelore e Prizrenit. 

Më 4 qershor Prokuroria Themelore e Prizrenit dhe Policia e Kosovës patën zhvilluar një aksion lidhur me degradimin e mjedisit. Në atë aksion ishin arrestuar 19 persona dhe ishin sekuestruar 40 mjete, përfshirë dhjetë kamionë, 15 eskavatorë dhe 15 makineri seperimi, si dhe prova materiale, ku vlera totale e sekuestrimit ishte rreth 2 milionë euro. 

Të ngjashme