Tre persona janë arrestuar të mërkurën në Prizren pasi që ishin zënë në flagrancë nga Policia e Kosovës gjatë kryerjes së veprës penale.
Sipas komunikatës së Prokurorisë e Policisë, të arrestuarit dyshohen për degradim të mjedisit.
“Më 17.12.2025 vetëm disa muaj pas këtij aksioni, ka pasuar një tentativë tjetër për dëmtimin e mjedisit. Lidhur me këtë rast, tre persona janë arrestuar në flagrancë, në orët e vona të natës, pasi tentuan të eksploatonin zhavorr përreth lumit “Drini i Bardhë”. Lidhur me këtë rast është sekuestruar një (1) kamion dhe një (1) eskavator.
Personat e arrestuar, gjenden në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 338, dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Prokuroria në Prizren kishte zhvilluar një aksion lidhur me mbrojtjen e mjedisit edhe në qershor të këtij viti.
Gjatë atij aksioni ishin arrestuar 19 të dyshuar, ndërkaq ishte sekuestruar pasuri në vlerë prej 2 milionë eurove.
“Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me datë 04.06.2025 pati zhvilluar një aksion të suksesshëm kundër degradimit të mjedisi, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e natyrës dhe pasurive mjedisore. Ky aksion kishte si qëllim parandalimin e aktiviteteve të paligjshme që dëmtojnë mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve, ku janë arrestuar nëntëmbëdhjetë (19) persona dhe janë sekuestruar dyzet (40) mjete të kryerjes së veprës penale duke përfshirë: dhjetë (10) kamionë, pesëmbëdhjetë (15) eskavator, pesëmbëdhjetë (15) makineri seperimi, si dhe prova të tjera materiale, ku vlera totale e sekuestrimit ishte rreth 2 milionë Euro”.