Abdixhiku: Istogu është themel moral dhe politik i Kosovës dhe i LDK-së, këtu po nisim fushatën e kthimit të Kosovës në normalitet

Prishtinë | 17 Dhj 2025 | 19:12 | Nga Diellza Gashi

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku në tubimin e mbajtur në Istog ka deklaruar se ky qytet është një nga themelet morale, politike dhe historike të Republikës së Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton Ekonomia Online

Në fjalë e tij, ai tha se nga Istogu nis rrugëtimi për rikthimin e Kosovës në normalitet, duke u thirrur në trashëgiminë politike të Ibrahim Rugovës.

“Istogu nuk është vetëm një komunë në hartë; është një prej themeleve morale, politike dhe historike të Republikës sonë dhe së këndejmi të vet Lidhjes Demokratike të Kosovës. Është vendi ku ka marrë formë filozofia që e bëri të mundur shtetin e Kosovës; vendi ku fjalët “qetësi”, “përmbajtje”, “maturi” nuk kanë qenë slogane, por mënyrë jetese; vendi i Rugovës, i një mendimi politik që zgjodhi shtetin para vetes, njeriun para pushtetit, dhe Kosovën para çdo ambicie personale. Dhe prandaj, sot, pas një viti të humbur në krizë kushtetuese dhe pas katër vitesh të humbura në populizëm, është e natyrshme që rrugëtimin tonë për kthimin e Kosovës në normalitet ta nisim këtu — në Istog. Aty ku gjithçka ka nisur. Aty ku maturia ka qenë gjithmonë më e fortë se urrejtja. Aty ku qetësia ka qenë më e fuqishme se zhurma. Aty ku politika ka qenë gjithmonë shërbim të atdheut. Istog, ti e ke mbajtur Kosovën në momentet më të vështira. Sot, është koha që Kosovës t’i japësh shtytjen e domostoshme që i duhet përpara – ti ktheni vendit nderin, dinjitetin, mbi të gjitha mendimin e drejtë. Dhe sonte, këtu, nuk po nisim thjesht fushatën e LDK-së. Po nisim fushatën e shpresës. Po nisim fushatën e kthimit të Kosovës në normalitet. Po nisim fushatën që i rikthen shtetit seriozitetin, institucioneve rendin, qytetarëve respektin”, potencoi kandidati për kryeministër.

Abdixhiku kritikoi ashpër qeverisjen aktuale, duke e vlerësuar vitin e fundit si një nga më të errëtit institucionalisht pas luftës, me krizë besimi mes qytetarëve dhe shtetit, shkelje të Kushtetutës dhe përplasje me partnerët ndërkombëtarë

“Dhe nuk është fare e lehtë të flasësh për gjendjen e vendit sot. Nuk është e lehtë sepse kemi të bëjmë me një prej viteve më të errëta institucionale të pasluftës. Me një prej krizave më të rënda të besimit që nga themelimi i shtetit. Sot Kosova është e lodhur. Jo vetëm nga varfëria, jo vetëm nga papunësia, jo vetëm nga emigrimi – por nga një politikë që i ka zhgënjyer pritjet më të mëdha që ky popull ka pasur ndonjëherë.
Dhe kur populli zhgënjehet, shteti bjen! Për herë të parë pas luftës, nuk kemi krizë ekonomike; kemi krizë besimi mes shtetit dhe qytetarit, mes institucioneve dhe popullit, mes fjalës së dhënë dhe realitetit të ashpër të përditshëm. Për herë të parë që nga paslufta, Kosova ka mbetur pa funksionim normal institucional. Kushtetuta është shkelur hapur. Kompetencat janë tejkaluar. Vendimmarrja është personalizuar. Përplasja me Gjykatën Kushtetuese është bërë normë. Qeveria ka hyrë në konflikt me partnerët tanë strategjikë — me Miqtë e Kosovës — duke e çuar vendin nën masa ndëshkuese që ende nuk janë hequr. Ky vit ka qenë vit i frikës, vit i përçarjes, vit i zhgënjimit. Kemi parë një qeveri që nuk njeh qytetar të barabartë; njeh vetëm tifozë dhe armiq. Qytetarët janë ndarë në “të mirë” dhe “të këqij”, në “patriotë” dhe “tradhtarë”, në “tanët” dhe “të atyre”. Kemi parë një gjuhë politike që nuk flet për ide, por që flet me fyerje. Që nuk trajton kundërshtarin si rival politik, por si armik personal. Që nuk flet për zhvillim, por për luftë imagjinare me secilin që mendon ndryshe”, deklaroi Abdixhiku.

Në fund, Abdixhiku ftoi qytetarët të bashkohen rreth LDK-së, duke premtuar rikthim të seriozitetit institucional, respekt për qytetarët dhe udhëheqje me dinjitet për një të ardhme më të mirë të Kosovës.

“Dhe kështu nuk ndërtohet shteti. Kështu nuk rritet ekonomia. Kështu nuk mbrohet Kushtetuta. Kështu nuk ruhet demokracia. Kosova nuk ka pasur periudhe më të rëndë përballuese se këto katër pesë vitet e fundit. Çmimet u janë rritur, pagat nuk u janë mjaftuar, standardi u është rëndë në secilën familje. Në fund të çdo viti, kryesisht para çdo fushate, qeveria do të ndante ndihma, në besim e këmbim të ndonjë vote elektorale. Kjo është mendësia e dikujt që nuk e kupton zhvillimin. Teksa ata blenin paqen me ndonjë asistencë, Kosova jonë ngecte në secilën sferë. Ngecte në energjetikë, ku janë djegur gati 1 miliardë euro pare tuaja për blerje të rrymës. Ngecte në arsim, duke vazhduar ti mbajnë fëmijët tanë të fundit në Evropë në dije e mësim nxënie. Ngectë në shëndetësi, duke vazhduar shpenzimin e qindramilionave eurove jashtë vendit për shërim. Ngecte në ligj e drejtësi, ku ligji nuk vlen njëjtë për të gjithë; sepse këtu politikanët qëndrojnë mbi ligj, mbi shtetin mbi kushtetutën. Ngecte në infrastrukturën rrugore e cila për pesë vite vazhdon të jetë e njëjtë. Për pesë vite pushtet, nuk ndërtuan asnjë rrugë, asnjë magjistrale asnjë autostradë. Dhe teksa vazhdonin propagandën, komunat janë ndëshkuar politikisht, partneritetet me aleatët janë dobësuar dhe masat ndëshkuese po vazhdojnë të rëndojnë mbi vendin. Të rinjtë po ikin në numër alarmant, bizneset po përballen me pasiguri, dhe Kosova ka humbur besimin e investitorëve ndërkombëtarë. Në arsim, në shëndetësi, në administratë publike, vendi është ndalur. Kjo nuk është Kosova që e kemi ëndërruar. Nuk është Kosova që e kemi ndërtuar me përkushtim. Nuk është Kosova që e kemi lënë amanet. Jam këtu për të ju ftuar, që të bashkoheni me ne, të bëhemi një, e të japim shpresë! Të ju ftoj të besoni në Republikën e Kosovës, në politikanë të mbarë e të mirë, e në profesionistë që dinë të ju udhëheqin me dinjitet drejt të ardhmes së mirë që na pret! Të mbështesni Lidhjen Demokratike të Kosovës, shtëpinë e vërtetë të qytetarëve të Istogut”, deklaroi ai.

Të ngjashme