Me rastin e konferencës vjetore, Dogana e Kosovës ka njoftuar për punën dhe rezultatet e arritura gjatë vitit ku është bërë e ditur se është shënuar rritje e të hyrave për 135 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, në fjalën e tij tha se 98 për qind e të hyrave doganore deklarohen vullnetarisht.
“Dogana e Kosovës edhe këtë vit e mbyll me sukses punën në të gjitha fushat e misionit të saj. Sa i përket të hyrave, ne kemi pasur projeksione nga Qeveria në shumën prej 1 miliard e 897 milionë euro, ndërsa deri në ditën e fundit të këtij viti do të arrijmë të mbledhim 1 miliard e 968 milionë euro. Kjo shumë përbën 135 milionë euro më shumë se viti paraprak dhe tejkalon projeksionin për 70 milionë euro. Ne vlerësojmë se disa faktorë kanë ndikuar në këtë sukses, përfshirë rritjen ekonomike, por edhe gatishmërinë e bizneseve për t’u përmbajtur ligjeve sa i përket pagesës së tatimeve. Kjo është veçanërisht e theksuar duke pasur parasysh se 98 për qind e të hyrave realizohen përmes deklarimit vullnetar. Po ashtu, Dogana e Kosovës ka bërë përpjekje të vazhdueshme për kontrolle efektive në terren dhe për një luftë të qëndrueshme kundër informalitetit”, tha ai.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se si rezultat i luftës kundër kontrabandës është rritur deklarimi vullnetar.
“Siç u pa nga pasqyrat e raportit që u prezantuan nga drejtori, rezultatet tregojnë një sukses të vazhdueshëm. Sidomos gjatë pesë viteve të fundit, pothuajse në të gjitha vitet ka pasur tejkalim të projeksioneve krahasuar me atë që ishte planifikuar në fillim të vitit sa i përket të hyrave të mbledhura deri në fund të vitit. Kjo tregon një rritje të vazhdueshme të suksesit dhe nënkupton se edhe ne, si Ministri e Financave, duhet t’i rikalibrojmë projeksionet tona dhe t’i përshtatim me ritmin e ri të Doganës. Vlen të theksohet se 98 për qind e vlerës së mbledhur vjen nga deklarimet vullnetare, gjë që është shumë e rëndësishme, pasi vetëm 2 për qind vjen nga kontrollet shtesë. Kjo dëshmon se shumica e deklarimeve janë të sakta dhe se kjo ka ardhur si rezultat i luftës së pakompromis ndaj kontrabandës dhe rrugëve të tjera ilegale, si dhe rritjes së kontrollit”, tha Murati.

