FOL publikon gjetjet e monitorimit të televizioneve gjatë fushatës për zgjedhjet

Prishtinë | 24 Dhj 2025 | 15:25 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (FOL) ka publikuar gjetjet nga monitorimi i televizioneve kombëtare gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Nacionale 2025, me qëllim të vlerësimit të transparencës, paanshmërisë dhe qasjes së barabartë të subjekteve politike në media.

Sipas FOL-it, monitorimi ka përfshirë analizën e kronikave zgjedhore dhe debateve kryesore televizive, të transmetuara në intervalin kohor nga ora 20:00 deri në 23:00, në televizionet RTK, KTV, RTV21, Klan Kosova, ATV, TV Dukagjini, Kanal10, T7 dhe Teve1.

Në gjetjet kryesore të publikuara theksohet se pjesëmarrja në debatet televizive ka treguar dallime të theksuara mes subjekteve politike, ku disa parti kanë dominuar ndjeshëm hapësirën mediatike në krahasim me të tjerat.

Po ashtu, FOL ka evidentuar se përfaqësimi gjinor në debatet televizive mbetet i pabalancuar, pasi vetëm 16 për qind e hapësirës së analizuar iu është dhënë kandidateve gra.

Sipas monitorimit, emisionet televizive janë dominuar kryesisht nga prezantime të një subjekti politik dhe debate me analistë, ndërsa debatet direkte ndërmjet subjekteve politike kanë qenë të pakta.

Një tjetër gjetje ka të bëjë me kronikat zgjedhore, ku hapësira televizive është përqendruar kryesisht te subjektet më të mëdha politike dhe kandidatët për kryeministër, duke kufizuar ekspozimin e subjekteve më të vogla.

FOL ka bërë të ditur se për më shumë detaje rreth monitorimit dhe rezultateve të tij, publiku mund t’i shohë infografikat e përgatitura nga organizata.

Të ngjashme