Zgjedhje me asnjë të panjohur

Prishtinë | 29 Dhj 2025 | 14:43 | Nga Bexhet Bajgora

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, fitues absolut te shqiptarët është LV-ë, përkatësisht Albin Kurti, kurse te serbët është Lista Serbe, përkatësisht Aleksandar Vuçiqi. Humbës janë LDK-ë, PDK-ë dhe të gjithë ata që, në një mënyrë apo tjetër, kanë sakrifikuar për këtë liri dhe këtë copë shtet që e kemi. Nuk thuhet kot se idealistët e bëjnë luftën, kurse maskarenjtë e marrin pushtetin!

Nëse i bëhet një skanim kohës dhe proceseve, që nga Rilindja Kombëtare e deri më sot, lehtësisht vërtetohet thënia e mësipërme. Në Shqipëri, atdhetarët që e shpallën pavarësinë u përndoqën deri në asgjësim nga komunistët e Beogradit përmes pionit të tyre, Enver Hoxhës, në Shqipëri. Shumica e atdhetarëve në Shqipëri ose u vranë, ose u arrestuan nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Prandaj nacionalizmi dhe atdhetarët, deri më sot, nuk e morën veten në Shqipëri. “Atdhetarët” e sotëm në Shqipëri, me në krye Sali Berishën, janë “bruto prodhim” i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe shokut Enver.

Edhe në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore ishte i njëjti film: nacionalistët dhe atdhetarët shqiptarë u vranë dhe u arrestuan nga komunistët jugosllavë dhe serbë përmes atyre që flisnin shqip, si: Fadil Hoxha, Ali Shukria, Kolë Shiroka etj. Sot, vazhdimësia e tyre politike dhe kombëtare janë në pushtet në Kosovë. Pjesa dërrmuese e tyre, gjithsesi.

Pse ndodhi kështu:

Nëse nuk keni investuar asgjë për liri dhe pavarësi, nuk ia dini vlerën; shtetin e shfrytëzoni si mundësi për të marrë pushtet. Çdo gjë që keni e shfrytëzoni për marrje dhe mbajtje të pushtetit. Këtë e bëri pikërisht VV-ë që nga zgjedhjet e para. Kur e fitoi pushtetin absolut (për faj të opozitës që e rrëzoi qeverinë në kohë pandemie) në vitin 2021, VV-ë nuk la gjë pa bërë për të krijuar një infrastrukturë për të fituar zgjedhjet e radhës përmes shpërdorimit të buxhetit për blerje votash. Kjo sidomos u theksua në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku brenda një kohe të shkurtër u futën në lojë mbi 300 milionë euro për kategoritë që potencialisht përbëjnë afërsisht 450.000 votues (studentë, prindër të fëmijëve dhe pensionistë).

Kur kësaj i shtohen biletat e aeroplanit dhe mjetet tjera të transportit të siguruara për diasporën nga qeveria dhe burimet tjera informale, trupi votues bëhet edhe më i madh. Propaganda e rreme populiste dhe “patriotike” te votuesit josakrifikues pati efektin e kompensimit të asaj që kurrë nuk e kanë pasur – dashurinë për kombin dhe atdheun. “Çlirimi” i Veriut ishte karremi tjetër për votuesit e painformuar. Vazhdoj të jem i sigurt se pikërisht Veriu është “Thembra e Akilit” për Kosovën dhe se çdo marrëveshje me Serbinë, Veriu paraqet xhoker dhe Kosovës do t’i varet si Shpata e Demokleut mbi qafë.

Krahasimi i opozitës me Listën Serbe, në kohën kur VV-ë kurrë nuk e ka ndalur bashkëpunimin përmes sekseres Kusari, ka ndikuar shumë në rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Bllokimi i qëllimshëm i formimit të institucioneve nga VV-ë, sikur edhe i marrëveshjeve ndërkombëtare, gjithashtu nga VV-ë, nuk u shfrytëzua nga opozita; prandaj VV-ë e shfrytëzoi këtë për ta fajësuar opozitën dhe votuesit e pranuan këtë.

Presidentja Vjosa Osmani 100 përqind ishte në shërbim të Kurtit dhe kundër opozitës, sidomos kur caktoi, me kërkesë të Kurtit, 28 dhjetorin. Opozita do të duhej ta refuzonte këtë datë me çmim edhe të bojkotimit të zgjedhjeve. Një opozitë e përgjegjshme do ta votonte kryetarin e Kuvendit të propozuar nga VV-ë që në seancën e parë, sikur edhe qeverinë, për t’u përgatitur për zgjedhjet e vitit 2026.

Edhe PDK-ë dhe LDK-ë kanë bërë fushatë civilizuese dhe kanë pasur oferta të mira për votues që e duan zhvillimin dhe ardhmërinë. Mirëpo nuk kanë pasur resurse materiale për blerje votash si VV-ë. Oferta e opozitës ka qenë për njerëz dhe votues të arsyeshëm; pjesa më e madhe e votuesve ishin kundër këtyre propozimeve, kundër arsyes, interesave të vendit dhe votën e shitën për 100 euro apo për një biletë aeroplani.

Pasojat do t’i shohim më vonë, kur të fillojë implementimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit që e federalizon Kosovën. Kurti bëri një hap për afrimin me LS kur tha se kjo është parti politike e jo organizatë terroriste. Gjithashtu tha se ky është viti i normalizimit me Serbinë. Do të veprojë si me tokat që iu falën Manastirit të Deçanit. Si lakuriq i natës, bashkë me lakuriqen Schwarz, brenda natës e bartën pronën duke e shitur si sukses. Kështu do të veprojë edhe me lëshimet e radhës që do të detyrohet t’i bëjë në emër të ruajtjes së pushtetit. Nuk do të ketë tjetër mundësi. Mund të taktizojë dhe të blejë kohë derisa të ketë luftë në Ukrainë, në Gaza apo Iran. Jo përtej saj.

Çka duhet të bëjë opozita:

Po të ishte një opozitë angazhuese dhe aktive, shkaku i skandaleve, keqpërdorimeve, varfërimit të skajshëm, mafias energjetike, ndërhyrjeve në punën e Prokurorisë, gjykatave, asaj Kushtetuese në veçanti, nepotizmit, kapjes së çdo bordi, institucioni a ndërmarrjeje e shumë të tjera, opozita do të duhej të protestonte 24 orë, çdo ditë të lume.

Opozita do të duhej t’i votonte marrëveshjet ndërkombëtare pa pasur nevojë të takohet me Kurtin.
Opozita nuk do të duhej që në asnjë mënyrë apo formë të bëhet pjesë e “bisedimeve” me Serbinë. Realisht as që do të ketë bisedime që mund ta ndryshojnë përmbajtjen e marrëveshjeve; do të ketë “bisedime” për zbatimin e këtyre marrëveshjeve.
Opozita mund të provokojë zgjedhje në fillim të vitit 2026 nëse refuzon ta bëjë kuorumin për Vjosa Osmanin. Kjo mundësi është në dorën e opozitës, nëse e vlerëson si të drejtë.

LDK-ë gabimin më të madh e ka bërë me rastin kur ia siguroi kuorumin Vjosa Osmanit, e cila pastaj, edhe me votat e LS-së, u zgjodh presidente. Askush nuk e ka dëmtuar LDK-në si Vjosa Osmani dhe Donika Schwarz, duke e ndarë partinë në dysh dhe duke ia dhuruar Kurtit 100.000 vota të LDK-së si pajë elektorale.

Nuk kam besuar se VV-ë fiton mbi 43 deputetë dhe se LDK-ë rrënohet aq shumë. Po ndodhi! Ky rezultat më shumë është barrë për VV-në sesa për opozitën.

Gjithashtu, kurrë nuk kam besuar se ata që më shumë pështynë gjak se shurrë në burgjet jugosllave, që mblidhnin dhëmbët e thyer nga torturat e parardhësve të një pjese të këtyre që janë në pushtet dhe votuesve të tyre, që me muaj nuk i mbathnin këpucët nga rrahjet brutale, që dilnin të gjymtuar seksualisht dhe fizikisht nga bastardët shqipfolës udbashë të djeshëm, pushtetarë të sotëm, si vazhdim i valëzimit brutal antikombëtar, do të përjetojnë kthimin në qeverisje të ish-dhunuesve të tyre. Mos të flasim për mbijetuesit e masakrave, dhunimeve dhe të zhdukurve gjatë luftës së fundit! Këta janë maskarenjtë e padënuar, nga Kurti të graduar!

Aspak nuk i besoj Albin Kurtit kur thotë se do të bisedojë me opozitën për vota për president. Ai do të bëjë çdo gjë për ta rizgjedhur Vjosa Osmanin presidente. Ku gjen më të bindur, më të paskrupullt dhe më manipuluese?! Përfituese ordinere! Vrasëse e porositur nga Kurti për eliminimin final të LDK-së. Bashkë me shpendkeqen Schwarz, e zezë si korb shpirtërisht.

Rezultati i zgjedhjeve nuk mund dhe nuk duhet të kundërshtohet. Duhet të kundërshtohen pasojat që mund të prodhohen nga këto zgjedhje. Nëse Sali Berisha, gati 80 vjeç, po bën opozitë aktive, pse këtë nuk e bëjnë “tereqët” opozitarë duke u majmur në zyra?!

Nuk ka tregues më të mirë të qëndrimit të popullit dhe politikanëve sesa qëndrimi që mbajnë ndaj sakrifikuesve biblikë, siç ishin Bacë Adem Demaçi dhe komandanti legjendar Adem Jashari. Të parin thuajse nuk e përmendin fare, kurse të dytin gjatë fushatave zgjedhore dhe ndërtimit të ndonjë hoteli monumental në qendër të Prishtinës!

Aty ku vdes idealizmi, kurrë nuk lind patriotizmi!

Të ngjashme