Presidentja: Në Ditën e Veteranit, përulemi para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr

Prishtinë | 30 Dhj 2025 | 09:55 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Ditën e Veteranit, duke thënë se përulet me respekt të thellë para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr.

“Sot, në Ditën e Veteranëve të UÇK-së, përulemi me respekt të thellë para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr. Ata u bënë mburojë e popullit, zë i atdheut dhe shpresë në kohën më të errët”, shkruhet në urimin e Presidentes.

Osmani thekson se veteranët e UÇK-së janë dëshmia se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim.

“Veteranët e UÇK-së janë dëshmia se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim dhe sakrificë.  Rrugëtimi i tyre drejt lirisë u kurorëzua me dinjitet dhe fitore. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit. Nderim i përhershëm veteranëve të UÇK-së”, përfundon urimi i Presidentes.

Të ngjashme