Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në Ditën e Veteranit të UÇK’së ka falënderuar ata për sakrificën që dhanë e nuk u dorëzuan për një Kosovë të lirë.
“Kosova është e lirë, sepse ju nuk u dorëzuat. Faleminderit për kontributin tuaj, familje të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të UÇK-së. Sot dhe gjithmonë, nder dhe respekt për sakrificën tuaj, për çdo plagë, çdo natë roje dhe çdo jetë të dhënë për Kosovën. Veteranë të UÇK-së, urime dita juaj. Lavdi të rënëve për lirinë tonë”, ka shkruar Hamza.
HARADINAJ NË DITËN E VETERANIT: BASHKË E MPOSHTËM ARMIKUN E I SOLLËM LIRINË VENDIT
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në Ditën e Veteranit ka thënë se bashkë me luftëtarët e mposhtën armikun dhe vendit ia sollën lirinë.
Ai tha se kjo ditë është ditë krenarie e lavdie.
Postimi i plotë:
Të dashur bashkëluftëtarë,
Kaluam së bashku ditë të paharruara, me vështirësi e flijime, të pikëlluar kur humbnim shokët, të lumtur kur korrnim fitore.
Që nga sulmi i parë mbi familjen Jashari, që ndezi mobilizimin e përgjithshëm për liri e pavarësi, rruga jonë u bë rrugë sakrifice, vendosmërie dhe qëndrese. Bashkë mposhtëm armikun e i sollëm lirinë vendit krah aleatëve.
Urime Dita e Veteranit, ditë krenarie e lavdie.
Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut!
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Ditën e Veteranit, duke thënë se përulet me respekt të thellë para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr.
“Sot, në Ditën e Veteranëve të UÇK-së, përulemi me respekt të thellë para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr. Ata u bënë mburojë e popullit, zë i atdheut dhe shpresë në kohën më të errët”, shkruhet në urimin e Presidentes.
Osmani thekson se veteranët e UÇK-së janë dëshmia se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim.
“Veteranët e UÇK-së janë dëshmia se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim dhe sakrificë. Rrugëtimi i tyre drejt lirisë u kurorëzua me dinjitet dhe fitore. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit. Nderim i përhershëm veteranëve të UÇK-së”, përfundon urimi i Presidentes.
Me rastin e shënimit të Ditës së Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari në Prekaz”, që siç e quajti kryetari i OVL- UÇK’së, Hysni Gucati vendi i shkëndijave të para të luftës.
Por Gucati ka thënë se në këtë ditë nuk ndihen edhe aq të lirë, mbi arsyen se institucionet e Republikës së Kosovës nuk e kanë miratuar ligjin për vlerat e luftës.
“Mu në këtë vend para 34 viteve, kanë qenë shkëndijat e para të lirisë dhe mund të them luftës së parë frontale të bacës Shaban me dy djemtë me Hamzën dhe Adem dhe rrethi i gjithë Jasharit u përballen me forcat çetnike parlamentare serbe që luftuan për ditën e sotit. Dhe ne sot si veteranë nuk e ndjejmë vetën aq të lirë për arsye se ende kemi problem me institucionet tona ku ligji për vlerat e luftë nuk është bërë ende”, tha Gucati.
Kjo festë u konsiderua e mangët edhe mbi faktin se ish-krerët e UÇK’së Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po mbahen padrejtësisht në paraburgimin në Hagë tash e më shumë se pesë vjet.
“Këtë festë që festojmë sot e kemi të mangët sepse njerëzit që e kanë udhëhequr luftën, paqen, janë në qendër të paraburgimit në Hage. Kjo festë është e mangët për ne, pa atë njerëz që luftuan për vendin tonë. Unë në emër ttim dhe shokëve tonë, ia uroj Ditë e Veteranit familjeve të dëshmoreve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së”, deklaroi Gucati.
Homazhe përkujtimore do të organizohen edhe në lokacione të tjera anembanë Kosovës, nga degët e OVL UÇK-së në secilin qytet.