Kurti uron nënën e trenjakëve të parë të vitit 2026

Prishtinë | 01 Jan 2026 | 01:36 | Nga Gzim Mujaj

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku ka takuar nënën që ka sjellë në jetë lindjen e parë të vitit 2026, një rast i veçantë pasi bëhet fjalë për lindje të trenjakëve, raporton Ekonomia Online.

Kurti, pas takimit me nënën dhe familjarët e saj, tha se vizita kishte për qëllim urimin e lindjes së parë të vitit të ri dhe theksoi veçantinë e këtij rasti, pasi nëna është bërë prind për herë të parë dhe ka lindur tre djem. Kurti shtoi se kjo ngjarje është një fillim i gëzueshëm për vitin 2026 dhe uroi familjen për jetë të mbarë.

“Meqë rast vizituam zonjën që është bërë nënë për herë të parë, por njëkohësisht është edhe lindja e parë e vitit 2026 e uruam i dëshiruam shëndet dhe kishte një rrethanë shumë të veçantë meqë ka lindur trenjakë, tre djem tri foshnje të gjinisë mashkullore”.

“Ky ishte gëzim i posaçëm për të gjithë ne në vitin 2026, urojmë familjen, në veçanti nënën e cila vjen nga rajoni i Gjilanit dhe i dëshirojmë të gjithë të mirat në jetën e mëtutjeshme. Orën e fundit të vitit 2025 e kalova në qendrat e Policisë së Kosovës, ndërkaq takimin e fundit për vitin 2025 dhe takimin e parë për vitin 2026 e kisha në ushtrinë tonë në FSK, ndërkaq orën e parë të vitit 2026 po e kaloi këtu në spital me kolegë, dashamirë me njerëz të cilët sjellin jetë në jetë”, tha Kurti.

Ndërkaq, doktori Naser Rafuna bëri të ditur se lindja ka kaluar pa komplikime dhe se nëna është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Pacientja është Fjolla Ibrahimi Strabaj, 36 vjeçare nga Gjilani. Është bërë nënë për herë të parë pas një infertiliteti 8-vjeçar. Do të thotë nuk ka pasur fëmijë për 8 vite dhe kjo është lindja e parë trenjake. Lindja ka shkuar mirë, nëna është mirë”, tha ai.

Të ngjashme