Gazetarët në Kosovë gjatë vitit 2025 janë përballur me një ambient gjithnjë e më armiqësor për ushtrimin e profesionit, të shoqëruar me gjuhë denigruese nga zyrtarë institucionalë, mungesë të qasjes në informata, presion ekonomik dhe rritje të numrit të sulmeve, raporton Ekonomia Online.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), deri në dhjetor janë regjistruar 69 raste të sulmeve ndaj gazetarëve, duke e bërë këtë vit një nga më sfiduesit për lirinë e medias.
AGK e profesor universitar vlerësojnë se përveç sulmeve verbale, kërcënimeve dhe diskursit përçmues nga politika, gazetarët janë rënduar edhe nga pasiguria ekonomike, inflacioni, ngarkesa e madhe në punë për shkak të zgjedhjeve të shpeshta, si dhe tentativat institucionale për të kufizuar lirinë e shprehjes përmes ndërhyrjeve ligjore.
Nënkryetarja e AGK-së, Naile Dema,, tha se viti 2025 ka qenë jashtëzakonisht i rëndë për gazetarët dhe punonjësit medial, duke theksuar se gjuha denigruese ndaj mediave ka vazhduar sidomos nga zyrtarë institucionalë.
Ajo shtoi se gazetarët janë përballur me refuzime të shpeshta për qasje në informata dhe intervista, ndërsa institucionet kanë mbetur të mbyllura për media, duke i detyruar gazetarët të kërkojnë alternativa për sigurimin e informatave.
“Gazetarët kanë vazhduar me kry punën e tyre në mënyrë shumë profesionale dhe të dedikuar le të themi ashtu siç bëjnë zakonisht. Por në mënyrë absolute mund të themi që ka qenë një vit shumë i vështirë për gazetarët dhe punonjësit medial në përgjithësi, ka pasë sfida të ndryshme, ka vazhdu gjuha denigruese ndaj tyre sidomos kur vjen zyrtarëve institucional, shtetëror. Kanë vazhduar të përballen me refuzime në kuptimin e qasjes në informacione, në intervista të ndryshëm, insitutcionet kanë vazhduar me qenë të mbyllura edhe këtë vit duke mos iu lejuar qasje të lehtë gazetarëve në informata dhe duke i detyruar, shkurtimisht po them që të gjejnë alternativa tjera të marrjes së informatave. Natyrisht vlen me u përmend si një prej rasteve më le të themi të keqe të këtij viti ka qenë situata me RTK-në. E dimë çka ndodhi, buxheti, mungesa e pagave për muaj të tërë. njëfar le ta quajmë presioni ekonomik ose financiar ndaj stafit të RTK-së dhe krejt këto e kanë bërë një ambient aspak të favorshëm për punë e gazetarëve”, tha ajo.
Dema theksoi se qasja e zyrtarëve shtetërorë ndaj mediave ka ndikim të drejtpërdrejtë në perceptimin publik dhe në sigurinë e gazetarëve, duke vlerësuar se diskursi ofendues dhe dehumanizues ndaj gazetarëve e vështirëson seriozisht punën e tyre.
Ajo tha se, ndonëse qeveritë e kaluara nuk kanë pasur qasje ideale ndaj mediave, qasja e qeverisë aktuale ka qenë dukshëm më pak e favorshme dhe më e dëmshme për gazetarët.
“Absolutisht është shumë e rëndësishme një qasje konstruktive e shtetit ose zyrtarëve institucional në raport me mediat sepse nëse zyrtarët e institucioneve, zyrtarë të lartë, njerëz që janë votuar prej popullit vazhdojnë t’i quajnë gazetarët hajna, mercenarë e me terme të ndryshme fyese, ofenduese, t’i diskreditojnë, t’i dehumanizojnë natyrisht që puna e tyre bëhet shumë e vështirë dhe opinionin publik, rrjedhimisht i bie që reagon në bazë të reagimeve të zyrtarëve të lartë shtetëror. Prandaj, është kaq e rëndësishme që ata të kenë kujdese. Vazhdoj të them që ne nuk kemi nevojë të jemi shok e as shoqe, as miq me zyrtarët shtetëror, me përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme por secili duhet ta lejojë secilin ta kryejë punën e tyre në mënyrë profesionale duke mos i penguar. Nëse nuk munden me ndihmu, sëpaku nuk duhet të pengojnë. E kemi pa që edhe kanë penguar sidomos me këtë qasje dhe me këtë mënyrë të narrativave që kanë krijuar me diskursin e përdorur ndaj mediave dhe gazetarëve në veçanti. Kjo e vështirëson shumë, pra qasja e kësaj qeverie. Nuk po them se qeveritë e tjera kanë pasë qasjen më të mirë të mundshme, por qasjes e kësaj qeverie është dukshëm më pak e favorshme, apo më në dëm të gazetarëve”, tha ajo.
Ndërkohë, profesori universitar i medias, Alban Zeneli, vlerësoi se viti 2025 ka qenë sfidues për gazetarët në disa nivele, duke përmendur katër palë zgjedhje gjatë vitit, që sipas tij i kanë ekspozuar gazetarët ndaj sulmeve, fyerjeve dhe kërcënimeve nga politikanët.
Ai tha se ngarkesa e madhe në punë, për shkak të mungesës së stafit në media dhe intensitetit të proceseve zgjedhore, ka rënduar ndjeshëm punën e gazetarëve.
“Nëse e shohim vitin që po e lëmë pas, vitin 2025 është vit në të cilin gazetarët kanë qenë të sfiduar në disa nivele, në disa fronte. Së pari kanë qenë të sfiduar për shkak se kemi pasur një vit në të cilin janë mbajtur katër palë zgjedhje, duke qenë kështu gazetarët janë bërë target i politikanëve për t’i sulmuar dhe kjo ka bërë që ata të jenë vazhdimisht të ekspozuar ndaj gjuhës kundër medias, ndaj fyerjes, ndaj sharjeve dhe shpeshherë ndaj kërcënimeve që janë bërë. Një sfidë tjetër ka qenë ngarkesa e madhe në punë për shkak se, siç e dimë, mediat tona kanë numër të vogël të gazetarëve, që mund t’i ndërrojnë gjatë punës. Ndërkohë që kemi pasur katër palë zgjedhje të cilat gazetarët është dashur t’i përcjellin secili në aktivitet të fushatës, po edhe përtej tyre. Kjo ka bërë një ngarkesë shumë të madhe në punën e gazetarëve gjatë këtij viti”, tha ai.
Zeneli theksoi gjithashtu ndikimin e inflacionit në gjendjen socio-ekonomike të gazetarëve, duke vlerësuar se pagat kanë mbetur pothuajse të pandryshuara, ndërsa rreth 30 për qind e të hyrave reale janë devalvuar.
“Ky vit është vit në të cilin ka pasur rritje të lartë të inflacionit, e cila ndikon direkt në gjendjen socio-ekonomike të gazetarëve. Për faktin se pagat e gazetarëve kanë mbetur përafërsisht të njëjta me ato që kanë qenë në fillim të vitit. Ndërkohë që inflacioni ka bërë që përafërsisht 30 për qind të hyrave të tyre të devalvohen, që i bie se e kanë pasur më të vështirë që ta kenë mirëqenien e tyre në nivelin që kanë pasur në fillim të vitit”, tha ai.
Ai përmendi edhe ligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i shpallur antikushtetues, si një sfidë serioze për lirinë e shprehjes, duke theksuar se ka pasur përpjekje për kufizime ligjore ndaj mediave.
“Një sfidë shumë e madhe, por në të njëjtën kohë edhe një fitore, ka qenë ligji për Komisionin e Pavarur për Media. Ky ligj, i cili ishte bërë me disa ndryshime të imponuara në Kuvendin e Kosovës, pa iniciativën e KPM-së, por me iniciativën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, është shpallur antikushtetues, por në të njëjtën kohë ka treguar që politikanët, përgjegjësisht specifikisht këta që ishin në pushtet, VV-ja gjatë këtij viti kanë synuar që edhe përmes ndryshimeve ligjore të bëjnë disa kufizime që prekin lirinë e shprehjes”, tha ai.
Sipas Zenelit, sistemi i drejtësisë i brishtë dhe i ngadalshëm ka ndikuar që sulmet ndaj gazetarëve të vazhdojnë, pasi mungon ndëshkimi efektiv, ndërsa trendi i sulmeve – fizike, verbale dhe online – mbetet në nivelin prej rreth 50 deri në 60 raste në vit, siç raportohen nga AGK-ja.
“Në fakt, jo vetëm ndaj gazetarëve, përgjegjësisht sistemi ynë i drejtësisë është i brishtë, është i ngadalshëm dhe kjo shpeshherë i inkurajon njerëzit që të vazhdojnë të kryejnë vepra që janë të ndaluara me ligj, siç është kërcënimi, siç është sulmi ndaj gazetarëve. Nëse e shohim nga trendi, numri i sulmeve ndaj gazetarëve, qofshin ato sulme fizike, qofshin sulme verbale, qofshin sulme online, është përafërsisht në të njëjtin standard, 50–60 sulme i kemi zakonisht çdo vit që regjistrohen nga AGK-ja”, tha ai.

