Haxhiu – deputetes Deliu – Kodra: Bëhuni zëdhënës të qytetarëve, jo të zyrës së BE-së

Prishtinë | 23 Pri 2026 | 16:05 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka kritikuar deputeten e  Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu – Kodrën, gjatë diskutimit për projektligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, raporton Ekonomia Online.

Kjo, për shkak se sipas Haxhiut, deputetja Deliu –Kodra në këtë projektligj po paraqet pakënaqësitë e zyrës së Bashkimit Evropian.

Sipas Haxhiut, partnerët ndërkombëtarë duhet të respektohen, por më shumë duhet të merret parasysh vullneti i qytetarëve të Kosovës.

 “Shihni është Kuvendi i Kosovës që përfaqëson interesat e qytetarëve dhe janë përgjegjës për me vlerësua edhe me vendosë për këtë, ne i respektojmë partnerët tanë edhe në këtë rast zyrën e BE-së, por unë nuk mund ta marrë parasysh më tepër një letër të zyrës së BE-së sesa vullnetin e qytetarëve të shprehur në këtë Kuvend, për mua ky është i rëndësishëm sepse ju jeni përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve, unë e kam takuar po ashtu përfaqësuesen e zyrës së BE-së e ka adresuar këtë shqetësim dhe i kam thënë se nuk jemi në rrethana normale, sepse nëse deri më datë 27 ky Kuvend nuk e zgjedh presidentin apo presidenten e vendit me automatizëm, Kuvendi shpërndahet. Kosova ka marrë përgjegjësi për me i organizua lojërat mesdhetare dhe ne jemi shumë vonë, për shkak të procedimit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, ju kërkoj e ju ftoj që të veprojmë në përputhje me përgjegjësitë që kemi. Ju ftoj të reflektoni dhe ti merrni parasysh përgjegjësitë që kemi ose ta zgjedhim presidentin, edhe ecim pa asnjë nguti. Unë këtë Kuvend e kam parasysh asgjë tjetër”, tha ajo.

Deputetja Deliu – Kodra tha se nuk janë kundër Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, por nuk po merren parasysh kërkesat nga zyra e BE-së.

 “Zoti ministër edhe njëherë e thashë edhe po e përsëris, unë besoj që për këtë Kuvend duhet të jetë alarm fakti që zyra e Bashkimit Evropian, për projektligjet që ju sapo adresuat, i ka dërguar një letër Kuvendit, deputetëve të Kuvendit duke ngre shqetësime reale për korrupsion, do të thotë BE-ja thotë që ky projektligj rrezikon paranë publike, rrezikon transparencën dhe llogaridhënien, atëherë është krejt e çuditshme si ju po mundoni ta eskivoni, pse i keni ikë edhe njëherë po ju them procedurave të rregullta të prokurimit publik, nëse zyra e BE-së edhe deputetët në amandamentet e tyre të cilat i kanë paraqitur në komision kanë kërkuar që ligji të veprojë konform rregullave të cilat i ka prokurimi publik dhe ju keni një trupë të veçantë që do të merret me 254 milionë euro, atëherë natyrisht është shqetësim i Kuvendit që të votojë diçka e cila rrezikon paranë publike. U përmenden me të drejtë edhe tenderat njëburimorë dhe ky është shqetësim real, e thashë askush në këtë Kuvend nuk është kundër ligjit për lojërat mesdhetare Prishtina 2030, por është komplet e padrejtë forma se si ju neglizhoni amandamentet e deputetëve sepse i keni votat dhe është krejt e padrejtë mënyra se si ju nuk e respektoni kërkesat e Zyrës së Bashkimit Evropian, në Republikën e Kosovës, që kërkon edhe njëherë ruajtje të transparencës, llogaridhënies dhe parasë publike”, tha Deliu – Kodra.

Haxhiu iu drejtua kësaj të fundit duke i thënë që të bëhen zëdhënës të qytetarëve e jo të zyrës së BE-së.

“Faleminderit por ju ftoj që të bëheni zëdhënës të qytetarëve dhe jo zëdhënës të zyrës së BE-së, se ata i kanë zëdhënësit e tyre”, tha shkurtimisht Haxhiu.

Të ngjashme