Produkti final duket një vepër krejt e thjeshtë, por prapa ka orë të tëra pune e përkushtimi. Përkthyer në shifra, duhen nja pesë muaj punë për pesë sekonda animacion. “I bie që për një sekondë mund të ketë 8 deri 12 vizatime. Mund të shkojë edhe 24 nëse është një arsye specifike, por mesatarja do të thosha është 8 deri 12 vizatime. I skicon karakteret dhe një herë e punon. Është shumë punë konsumuese, merr kohë, por vështirësia e vetme që e njoh është se çdo animator ka problem me shpinën”, thotë Flaka Kokolli, animatorja pioniere e gjeneratës së saj. Rrugëtimi i saj u ngjan skicave të animacionit
Me themelimin e industrisë së filmit, paralelisht lindi edhe industria e filmave të animuar. Në Kosovën e pasluftës, vonë u realizua filmi i parë i animuar nga gjenerata e re, ani pse historia e këtij zhanri në këto anë njeh edhe vepra të tjera qysh në fillim të viteve ’80 me “TV Dur” të Gjon Markut. Në vitin 2010, erdhi “Molla e kuqe” i metrazhit të shkurtër nga Mentor Berisha. Tek vitet e fundit vërtetë animohet filmi. Flaka Kokolli po plotëson opusin e saj me filma. Portreti i saj është një lloj sinonimi për skenën e tanishme të animacionit në vend, ndonëse ajo zgjerohet. Në kohë moderne, është ndër pionierët e filmit të animuar.
“Mardhë”, “Ninulla F”, “Këtu – Different Dreams” në bashkëpunim me Nora Jusufin e “Shpija” janë midis krijimeve të saj. I interesonte si fëmijë animacioni. Ajo i shihte filmat e animuar përtej asaj sesi i shihnin të tjerët. Nuk ka qenë thjesht një periudhë e ëndrrës për animacion. Për të as nuk ka pasur një moment specifik kur ka vendosur t’i japë kah karrierës drejt animacionit. Thjesht “ka vazhduar rrjedhshëm”.
Për Kokollin, asnjëherë animacioni nuk ka qenë i lidhur veç me fëmijëri.
“Më kanë pëlqyer shumë filmat, por ka qenë ndjenjë që e kam pasur të përbashkët me shokë e shoqe kur kemi qenë fëmijë. Duke u rritur, veç nuk ka pasur një tranzicion dhe nuk e kam pasur shumë të lidhur në kohë që filmi i animuar është i lidhur me fëmijëri. Nuk e kam pasur nevojën që, i kam bërë do vjet dhe po ndalem, s’po i shikoj. Ne si gjeneratë e kemi përparësinë e internetit që mund të përfundosh shumë thellë në detaje. Gjeja filma shumë të mirë që nuk ishin aspak për fëmijë dhe thjesht vazhdoi”, shprehet ajo.
Të preferuar e ka pasur “Spirited Away” të vitit 2001, shkruar e drejtuar nga japonezi Hayao Miyazaki. Ky film edhe është një prej kryeveprave të tij.
“Atë e mbaj mend që më pati ‘goditur’ në një formë. Më pati mbetur në kokë edhe pse nuk e dija shumë mirë se çfarë po ndodh, sepse i kisha nja tetë vjet ndoshta. Edhe sot kur e shikoj ka shumë të të japë. E shoh që prapë aty jam, filmat dinë të jenë më të pjekur nganjëherë, por edhe ti kur je e pjekur i sheh ndryshe. Por ‘Spirited Away’ ka qenë i pari që më pati shokuar. E mbaj mend që me titullin e përkthyer në shqip u mundova ta gjej, por nuk mundja”, kujton Kokolli me nostalgji.

Zgjedhja e frikshme për të ardhmen
Në këtë kohë, ajo veçse ndau mendjen për rrugëtimin profesional të jetës së saj. S’u ndikua prej kujt. Ishte koha kur nuk kishte industri të animacionit. Kur, siç shprehet ajo, zgjedhja e saj ka qenë e frikshme për të ardhmen e saj.
“Animacioni ka qenë shumë i frikshëm për të dy prindërit për këtë pjesë. Por pati ndikuar pozitivisht fakti që jam lindur dhe rritur në Prishtinë, pa pasur lidhje me Pejën, por pa qenë ‘Anibari’…”, shprehet Kokolli. Vazhdon të shikojë filma të animuar nga fëmijëria. Tash thjesht i kupton më mirë detajet dhe punën prapa tyre.
“Kur i shikon të njëjtit si i rritur, veç i shijon më shumë sepse ke më shumë kapacitet t’i kuptosh. Vazhdoj t’i shikoj sepse e kam pjesë të jetës”, thekson Kokolli.
Ajo u lind më 7 tetor 1998 në Prishtinë, ku u rrit dhe përfundoi shkollimin deri në ato të nivelit akademik. Studimet universitare i ndoqi në “Metropolitan University” në Budapest duke qenë se në Kosovë ende nuk ofrohet animacioni si zgjedhje për studentë. Por qe festivali i animacionit “Anibar” ku ajo qe pjesëmarrëse dhe vullnetare për disa vjet.
Si 16-vjeçare mori pjesë në punëtoritë e Akademisë së Animacionit e më pas u bë anëtare e panelit përzgjedhës për programin “Kids and Teen”.
Në këtë kohë, ajo veçse kishte fletoret e mbushura me vizatime. Aty kishte kuptuar se të njëjtat punë mund të ktheheshin në karaktere të filmit të animuar.
“E kanë pasur një punëtori. Pata shkuar dhe thjesht, nuk kemi bërë ndonjë punë të madhe. Vizatimin e pata bërë për qejf dhe nuk ka qenë diçka konkrete. Aty u bë pak më konkrete, e pamë se bëhet animacion ai vizatim. Si fëmijë nuk e ke sensin e pasojave dhe thjesht nuk më dukej se mund të shkojë diçka gabim”, shprehet ajo.
Bashkëmoshatare e studentëve të vet
Flaka Kokolli aktualisht është tutore në Akademinë e Animacionit që zë vend në qytetin e Pejës. Në kohën kur nisi, qe thuaja në të njëjtën gjeneratë me studentët.
“Kam filluar tash e rreth gjashtë vjet duke punuar aty. Ka qenë viti i tretë i akademisë ndoshta. Kam qenë në moshë të afërt me studentët. Tash janë më të rinj dhe gjithë ata që kanë qenë studentë tash janë kolegë. Përderisa nuk ka fakultet të animacionit, ka mbetur si mënyrë e mirë. Më duket shumë kualitativ si program. Kështu bëhet industria dhe ndihesh që je duke dhënë, jo vetëm duke marrë. Tek e fundit, nesër nëse do ta bëj një film më të gjatë, krejt këta njerëz do të më duhen”, konsideron ajo.
Për të, animacioni po lulëzon duke qenë se ka shumë kërkesa për të ndjekur mësimet aty. Po aq sa kërkesa, aq edhe refuzime. Kokolli tregon se çdo vit aplikojnë midis 30 e 40 të interesuar, ndërsa ata nuk mund të zgjedhin më shumë se dhjetë.
Kokolli ka punuar dhe vazhdon të punojë për projekte të komisionuara, por “Shpija” ka qenë filmi i parë personal i saj. Flet me admirim për filmin teksa biseda e saj për anën profesionale në përgjithësi është tejet e sinqertë.
Filmi qe shfaqur premierë në vitin 2022 në festivalin ndërkombëtar të filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest” në kategorinë e filmave kombëtarë, midis filmash të tjerë të shkurtër e me praninë e saj.
“Në momentin kur del, sheh plot gjëra që do t’i bëje ndryshe. I vëren ato gjëra tërë kohën, por kalon me kohën”, kujton Kokolli.
Ajo flet hapur për momentet kur është ndier e pasigurt. Si në rastin e filmit “Shpija”.
“Vështirësi është fakti që ne nuk e kemi pasur fatin të punojmë në një studio ekzistuese, që dalëngadalë ngjitesh në role të ndryshme, ke ‘feedback’ tërë kohën nga dikush që din dhe eventualisht mbërrin tek ideja që mund ta bësh një film vetëm”, shprehet ajo.
Të qenit pioniere në gjeneratën e re është privilegj për të, por jo përparësi.
“Ne nuk e kemi pasur këtë proces sepse nuk ke qenë kurrë duke punuar në një studio që e ka bërë më parë këtë punë. Ka pasur shumë privilegje fakti që e kemi këtë status si pionierë në sensin e filmit sepse si teknikë ekziston, për reklama dhe plot të tjera. Në anën tjetër i bie të krijosh përvojë e të udhëheqësh kur nuk ke qenë kurrë e udhëhequr që ta kesh si shembull. Mungesa e shembujve, për gjithçka, mbase ka qenë pjesa më e vështirë”, thotë ajo.