Ylli i pop-it Britney Spears ka deklaruar se nuk do të performojë më kurrë në Shtetet e Bashkuara, për shkak të asaj që ajo i quan “arsye jashtëzakonisht të ndjeshme”.
Megjithatë, këngëtarja është shprehur se shpreson të rikthehet në skenë për fansat në Britani dhe Australi, ka raportuar FemaleFirst.
Artistja 44-vjeçare ka folur për planet e saj të ardhshme në një postim në Instagram, ku ka zbuluar se këtë vit po i dërgon një piano njërit prej djemve të saj. Në të njëjtin postim, ajo ka theksuar se nuk ka ndërmend të performojë më në SHBA, por la të hapur mundësinë e koncerteve jashtë vendit.
“Po ia dërgoj këtë piano djalit tim këtë vit!!! … Interesante është se unë kërcej në Instagram për të shëruar gjëra në trupin tim që njerëzit nuk i dinë. Po, ndonjëherë është edhe e turpshme … por kam kaluar nëpër zjarr për të shpëtuar jetën time…”, ka shkruar ajo.