Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për familjen Sadriu me rastin e ndarjes nga jeta të Ali Sadriu, ish-ministër i Financave, ish-deputet dhe ish-drejtor ekzekutiv i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Presidentja Osmani ka theksuar kontributin e rëndësishëm të Ali Sadriut në shërbim të institucioneve dhe qytetarëve të vendit.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të z. Ali Sadriu, ish-Ministër i Financave, ish-deputet në dy mandate dhe ish-Drejtor Ekzekutiv i QKUK-së”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm, duke theksuar se puna e tij do të mbetet e paharrueshme.
“Kontributi i tij i jashtëzakonshëm në shërbim të institucioneve të vendit dhe i palodhur në përkushtimin ndaj qytetarëve do të mbetet gjithmonë i paharrueshëm”, ka shtuar Presidentja.
Në mesazhin e saj, Osmani ka shprehur edhe solidaritet me familjen në këto momente të vështira.
“Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”, ka theksuar ajo, duke përfunduar me fjalët: “I përhershëm qoftë kujtimi për Ali Sadriun!”.
