Ngritet aktakuzë për vrasjen e policit Muhamet Lika në Kaçanik

Prishtinë | 09 Jan 2026 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar opinionin publik se, pas zhvillimit të hetimeve dhe sigurimit të provave, ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë të pandehurve lidhur me vrasjen e zyrtarit policor Muhamet Lika në Kaçanik.

Sipas njoftimit zyrtar, aktakuza është ngritur ndaj të pandehurve me inicialet H.B., R.M., V.Ç., E.L., SH.K. dhe D.G., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.9, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria bën të ditur se më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, afër vendbanimit të viktimës në Kaçanik, të pandehurit, në bashkëkryerje me të miturin R.B., me dashje dhe përgatitje paraprake, kanë privuar nga jeta zyrtarin policor, rreshterin Muhamet Lika, duke shtënë me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka ndërruar jetë, ndërsa të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Po ashtu, është kërkuar që masa e paraburgimit ndaj tyre të vazhdohet deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.

Të ngjashme