Jakaj: Procedura për 12 ligjet e 5 dhjetorit ka cenuar demokracinë parlamentare dhe shtetin e së drejtës

Prishtinë | 09 Jan 2026 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka reaguar ndaj mënyrës se si janë miratuar 12 ligje nga Kuvendi më 5 dhjetor të vitit të kaluar, duke vlerësuar se procedura e ndjekur ka cenuar rëndë demokracinë parlamentare dhe shtetin e së drejtës.

Sipas Jakajt, pavarësisht se ligjet mund të jenë të rëndësishme në përmbajtje, mënyra e miratimit të tyre ka shkelur standardet themelore të procesit legjislativ dhe ka cenuar rolin real të deputetëve në Kuvend.

“12 ligjet e miratuara nga Kuvendi më 5 dhjetor të vitit të kaluar mund të jenë shumë të mira dhe të rëndësishme, por procedura e ndjekur ka qenë fatale për cenimin e procedurës parlamentare”, ka shkruar ai.

Jakaj ka theksuar se Gjykata ka konstatuar shkelje serioze në mënyrën e miratimit të këtyre ligjeve, duke renditur një sërë problemesh që e kanë bërë procesin jo përmbajtësor dhe jo demokratik.

Ai ka vlerësuar se këto shkelje e kanë dëmtuar rëndë funksionimin normal të Kuvendit dhe kanë krijuar një precedent të rrezikshëm për proceset legjislative në të ardhmen.

“12 ligjet, Kuvendi i ka miratuar përmes një procesi që cenoi demokracinë parlamentare dhe shtetin e së drejtës. Sipas Gjykatës, janë bërë disa shkelje serioze në mënyrën se si janë miratuar ligjet:

Ligje të miratuara brenda një dite, në lexim të parë dhe të dytë, duke e kthyer procesin legjislativ në procedurë formale dhe jo përmbajtësore.

Anashkalim i komisioneve parlamentare, të cilave iu janë dhënë vetëm disa minuta për shqyrtim, duke e bërë të pamundur analizën profesionale.

Mungesë të debatit parlamentar, sepse deputetët nuk kanë pasur kohë të lexojnë materialet, të diskutojnë, apo të propozojnë amendamente.

Përdorim i paarsyetuar i procedurës së përshpejtuar, pa situata emergjente apo arsye objektive që do ta justifikonin shmangien nga afatet.

Shpërndarje e vonuar e materialeve, madje edhe pas fillimit të seancave, duke cenuar transparencën dhe cilësinë e procesit.

Pamundësim i ushtrimit real të mandatit të deputetëve, të cilët u reduktuan në votues formal, pa rol të vërtetë në hartimin e ligjit.

Cenim i standardeve të shtetit të së drejtës, sepse procedura e shkurtuar ka shkelur parimet e ligjshmërisë, të përgjegjshmërisë dhe të procesit demokratik”, ka shkruar Jakaj në Facebook.

Të ngjashme