Avokati Faton Fetahu kërkon lirimin e menjëhershëm të 35 personave të ndaluar në rastin BKS

Prishtinë | 10 Jan 2026 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Avokati Faton Fetahu ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të 35 personave të ndaluar në rastin BKS.

Ai ka bërë me dije se 35 persona në procedurë penale vazhdojnë të mbahen të privuar nga liria në mënyrë tërësisht kundërligjshme.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se ndonëse afati ligjor prej 48 orësh i ndalimit të urdhëruar nga Prokuroria ka skaduar në ora 12:00, ata vazhdojën të mbahen në paraburgim.

“35 persona në procedurë penale vazhdojnë të mbahen të privuar nga liria në mënyrë tërësisht kundërligjshme, ndonëse afati ligjor prej 48 orësh i ndalimit të urdhëruar nga Prokuroria ka skaduar në ora 12:00. Ata po mbahen pa asnjë vendim gjyqësor të shkruar dhe pa asnjë bazë ligjore. Ky nuk është thjesht devijim procedural, por cenim i rëndë i së drejtës themelore kushtetuese për liri. Në seancën dëgjimore të mbajtur mbrëmë lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masave të sigurisë ndaj 39 të pandehurve në rastin e BKS-së, në emër të 35 avokatëve mbrojtës, parashtrova kundërshtimet tona të plota dhe kërkesën për lirimin e menjëhershëm të 35 të pandehurve në procedurë të rregullt. Ky qëndrim u mbështet shprehimisht nga të gjithë mbrojtësit. Edhe vetë Prokuroria kishte propozuar vetëm masa të buta, të cilat nuk kufizojnë lirinë e lëvizjes”, ka shkruar Fetahi.

Ai e ka kritikuar gjyqtarin e procedurës paraprake të këtij rasti.

“Pavarësisht kësaj, gjyqtari i procedurës paraprake Fatmir Krasniqi, në vend që të ushtrojë autoritetin e tij gjyqësor dhe të marrë një vendim të ligjshëm në sallën e gjyqit, zgjodhi rrugën e heshtjes. Ky mosveprim, i maskuar si pritje për vendim të shkruar, dëshmon mungesë të theksuar guximi profesional për të marrë përgjegjësi gjyqësore dhe mungesë serioze të dijes profesionale mbi natyrën, qëllimin dhe kufijtë e masës së ndalimit. Mbajtja e 35 të pandehurve në qendrat e mbajtjes pas përfundimit të seancës dëgjimore dhe, më keq akoma, pas skadimit të afatit ligjor të ndalimit, pa asnjë vendim gjyqësor në fuqi, përbën shkelje flagrante të parimit të ligjshmërisë dhe sigurisë juridike. Ky veprim krijon një precedent të rrezikshëm, zhvleftëson rolin kushtetues të gjykatës dhe e shndërron një masë të jashtëzakonshme në praktikë arbitrare”, ka shkruar Fetahi.

Të ngjashme