Reshje rekord në Korçë, rreth 4 mijë hektarë tokë të përmbytura

Prishtinë | 10 Jan 2026 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Rajoni i Korçës ka regjistruar reshje shiu në nivele të pazakonta gjatë muajve të fundit. Sipas Shërbimit Meteorologjik të Ushtrisë, në dy episodet e fundit me reshje intensive, përkatësisht gjatë 3-4 ditëve në nëntor 2024 dhe më 7 janar 2025, në këtë rajon kanë rënë gjithsej 494 mm shi.

Kjo sasi përbën rreth 70 për qind të mesatares vjetore të reshjeve, e cila është rreth 700 mm, dhe ka rënë brenda vetëm 4-5 ditëve. Sipas të njëjtave burime, Korça është rajoni ku është regjistruar sasia më e madhe e reshjeve krahasuar me të gjitha rajonet e tjera të vendit.

Si pasojë e këtyre reshjeve intensive, në Fushën e Maliqit janë përmbytur rreth 4 mijë hektarë tokë bujqësore. Përmbytjet kanë ardhur pas çarjes së lumenjve Dunavec dhe Devoll, të cilët nuk kanë mundur të përballojnë prurjet e shtuara të ujërave.

Lumi Devoll është çarë dy herë gjatë kësaj periudhe, duke nxjerrë në pah amortizimin e argjinaturave dhe nevojën për ndërhyrje të menjëhershme. Specialistët theksojnë se situata kërkon urgjentisht investime për mbrojtjen lumore, përmes ndërtimit të argjinaturave me rrjet gabioni, si zgjidhje afatgjatë për parandalimin e përmbytjeve.

Të ngjashme