Kasolli: Abdixhiku po e zhvendos përgjegjësinë nga vetja tek partia për dorëheqjen

Prishtinë | 14 Jan 2026 | 11:00 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik Afrim Kasolli ka vlerësuar se qëndrimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ndryshuar pas konferencës së mbajtur pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke theksuar se ai po tenton ta zhvendosë përgjegjësinë personale drejt strukturave të partisë, raporton Ekonomia Online.

Kasolli, duke folur për mënyrën se si Abdixhiku e ka trajtuar çështjen e dorëheqjes, tha se pas natës së zgjedhjeve kishte një pozicion më të vendosur, ndërsa më pas është parë një qasje tjetër.

“Në përgjithësi kjo ishte një ndryshim i pozicionit nga nata kritike e zgjedhjeve në raport me atë që e deklaroi dje. Sepse kur u bënë publike rezultatet e zgjedhjeve ai ishte më i vendosur se do ta marrë përgjegjësinë personale për atë që ia kishte ndodhur LDK-së duke rënë në pikën më të ulët të saj elektorale në historinë e këtij subjekti politik. Dje sikur tentoi ta zhvendosë përgjegjësinë personale në një lloj, duke kërkuar mburojë kolektive nga partia që tash e tutje nuk është Lumir Abdixhiku që vendos (për dorëheqje) për këtë punë, por është subjekti politik që e ka në dorë edhe fatin e tij politik”, tha ai.

Sipas Kasollit, kjo përbën një përpjekje për të larguar fajin nga vetja dhe për ta bartur atë tek struktura e LDK-së, duke hapur dilema për pasojat e mundshme politike.

“Është një lloj zhvendosje nga faji personal dhe strehimi tek përgjegjësia kolektive e partisë dhe çka do të ndodhë tash nëse subjekti politik nuk ia pranon dorëheqjen, çka do të ndodhë me LDK-në nuk është përgjegjësi ekskluzive e Abdixhikut, por është e strukturave të këtij subjekti që kanë refuzuar dorëheqjen e këtij. Mirëpo ne i dimë praktikat e dorëheqjeve se ekziston dorëheqje e parevokueshme dhe nëse je i vendosur për ta zbatuar këtë detyrë nuk ka asnjë mekanizëm që mund të të detyrojë për ta dhënë dorëheqjen”, tha ai.

Kasolli theksoi se përveç çështjes së dorëheqjes, ka edhe ndryshime të tjera në qasjen politike të Abdixhikut, sidomos në raport me dialogun me subjektet e tjera parlamentare.

“Ka edhe zhvendosje të tjera shumë interesante sa i përket Abdixhikut në raport me bllokadën 9 mujore. Nëse gjatë bllokadës 9 mujore i njëjti kishte refuzuar çdo lloj komunikimi politik me të gjitha subjektet e tjera parlamentare në votim të kryeparlamentares e të tjera, me pretendimin se ky është i ndryshëm nga të tjerët. Kësaj here po e shohim një lëvizje të tij që është i gatshëm për një konsensus politik në kërkim të një figure konsensuale për pozitën e presidentit. Janë dy zhvendosje interesante që po ndodhin, mbase nga frika dhe ndjenja apo nga rezultati i pafavorshëm elektoral që e ka arritur më 28 dhjetor”, tha ai.

Të ngjashme