Nga Singapori dhe Indonezia, me një qëllim të vetëm: mashtrimin e qytetarëve të Kosovës.
Njohësi i kibernetikës, Korab Keqekolla, ka ngritur alarmin për sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve, duke theksuar se është tejet shqetësuese qasja që persona jashtë vendit kanë në numra telefoni dhe adresa elektronike të kosovarëve.
Sipas tij, kjo situatë duhet të hetohet urgjentisht për të zbuluar burimin e rrjedhjes së këtyre të dhënave dhe mënyrën se si ato kanë përfunduar tek palë të treta, raporton Kiks Kosova.
Aktualisht, në Kosovë janë aktive disa fushata mashtruese, të cilat synojnë mbledhjen e të dhënave personale përmes uebfaqeve të rreme, kryesisht duke imituar institucione si Posta e Kosovës apo bankat.
Keqekolla paralajmëron se hakerët jo gjithmonë synojnë vjedhje të drejtpërdrejtë financiare, por krijimin e databazave me numra telefoni dhe adresa elektronike, të cilat më pas shiten ose përdoren për mashtrime dhe keqpërdorime të ndryshme. Deri më tani, nuk ka informacione të sakta se nga po sigurohen këto të dhëna, por dyshohet fuqishëm se ato po rishiten nga brenda Kosovës.
Sipas gjurmëve digjitale, disa nga sulmet aktuale vijnë nga rajone si Indonezia dhe Singapori.
Keqekolla thekson se qytetarët nuk janë viktima vetëm të sulmeve të huaja, por edhe të thirrjeve nga call center vendorë, të cilët posedojnë numra telefoni pa pëlqimin e qytetarëve.