Një pronë prej 02.13.79 hektarësh në Fushë Kosovë është rikthyer në emër të Ndërmarrjes Shoqërore KBI “Kosova Eksport”. Kështu ka bërë të ditur Agjencia Kosova e Privatizimit (AKP) duke thënë se kanë pranuar aktgjykimin e Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, PKR.nr.196-21, me të cilin, falë angazhimit ligjor të AKP-së dhe në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë kompetente, është arritur rikthimi i pronës me vlerë të lartë ekonomike në emër të ndërmarrjes shoqërore.
“Prona në fjalë, e cila ndodhet në Fushë Kosovë dhe ka sipërfaqe prej 02.13.79 hektarësh, është fituar sërish në emër të Ndërmarrjes Shoqërore KBI “Kosova Eksport” në Fushë Kosovë. Ky vendim gjyqësor paraqet një sukses të rëndësishëm institucional dhe dëshmi të përkushtimit të AKP-së për mbrojtjen e pasurisë shoqërore, sundimin e ligjit dhe korrigjimin e tjetërsimeve të kundërligjshme të pronave”, thuhet në njoftimin e AKP-së.