BBC: Imazhe nudo mbetën në dosjet Epstein pavarësisht reagimeve

Prishtinë | 05 Shk 2026 | 10:08 | Nga Ekonomia Online

Imazhe dhe video të paredaktuara që shfaqin lakuriqësi, të publikuara në dosjet Epstein, kanë mbetur të postuara online për ditë të tëra, pavarësisht se zyrtarët amerikanë ishin paralajmëruar për dështim në redaktim, ka raportuar të enjten (05.02.2026) televizioni BBC. Avokatët thonë se kjo u ka shkaktuar viktimave dëm “të pariparueshëm”.

Dosjet e shqyrtuara nga “BBC Verify” janë në mesin e mijëra dokumenteve që avokatët thonë se përmbajnë informacione identifikuese për dhjetëra viktima të Epsteinit.

Grupet e viktimave folën për herë të parë për këtë çështje gjatë fundjavës, kur gazeta “New York Times” do të raportonte se gati 40 imazhe të veçanta ishin publikuar të premten e javës së kaluar si pjesë e dosjeve Epstein.

Një gjykatës në Nju Jork ka thënë të martën se Departamenti i Drejtësisë (DoJ) ishte pajtuar ta rregullonte shpejt problemin, pasi viktimat kërkuan që faqja e internetit të mbyllej derisa të redaktoheshin emrat dhe imazhet siç duhet.

DoJ-i ka hequr mijëra dokumente nga faqja e internetit, duke deklaruar se dosjet ishin ngarkuar për shkak të një “gabimi teknik ose njerëzor”. Departamenti i Drejtësisë ka deklaruar se po vazhdon të shqyrtojë kërkesa të reja, si dhe të kontrollojë nëse kishte dokumente të tjera që mund të kenë nevojë për redaktim të mëtejshëm.

“BBC Verify” ka zbardhur në mënyrë të pavarur se një numër imazhesh të personave të identifikueshëm ende ishin të postuar online të mërkurën, pavarësisht se qeveria amerikane kishte deklaruar një ditë më parë se po trajtonte problemin e redaktimeve të paplota. BBC-ja i është drejtuar DoJ-it për koment, duke ia ofruar emrat e dosjeve të paredaktuara.

“Dëmi i shkaktuar është i pariparueshëm”, ka thënë një deklaratë Brad Edwards, avokat që përfaqëson viktimat.

Katër nga imazhet e identifikuara nga “BBC Verify” tregonin vajza të reja pjesërisht të veshura, me fytyrat dhe trupat të paredaktuara. 

Të ngjashme