Agim Ademi s’pranon pyetje nga gazetarët: Jam shumë i lumtur që kam të gjithë kuvendin dhe komunitetin e futbollit

Prishtinë | 05 Shk 2026 | 13:05 | Nga Ekonomia Online

I sapo rizgjedhur edhe për mandatin e tretë katër vjeçar, megjithatë Agim Ademi nuk para gazetarëve tha vetëm atë që deshi, duke mos pranuar pyetje nga gazetarët, raporton Ekonomia Online.

Pas përfundimit të Kuvendit Zgjedhor të FFK-së, Ademi u prit nga mediat, e ku në tentimin e tyre për ta ndalur, tha se vota e dhënë ndaj tij, ani pse ishte i vetmi kandidat, është votë e besimit për personalitetin dhe ekipin e tij.

“Vota e sotit është votë e besimit në personalitetin tim dhe ekipin tim, është votë e vlerësimit të punës së bërë dhe përkrahjes së punëve që do të vijnë në këtë katër vjetor. Jam shumë i lumtur që kam të gjithë kuvendin dhe komunitetin e futbollit që janë më shumë që 50 mijë veta e në këtë rast më shumë se 50 veta në Kuvend dhe më vjen mirë që janë unik. E kanë prek rezultatin, sinqeritetin, profesionalizimin, projekte, strategjinë e FFK-së që kemi shku dhe kemi bërë ngritje. Uroj që edhe në këto katër vitet e ardhshme të jenë të realizuara edhe ato që kemi premtuar dhe më tej”, u shpreh Ademi.

Në Kuvendin Zgjedhor, ai në votim të hapur mori 52 vota, pa asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Kuvendi po ashtu miratoi edhe buxhetin e FFK-së për vitin 2026, i cili është rreth 25 milionë euro.

Ky do të jetë mandati i tij i tretë në krye të federatës, pas zgjedhjes së parë në vitin 2018 dhe rizgjedhjes në vitin 2022.

Të ngjashme