INDEP i kërkon ZRRE-së të sigurojë mbrojtje të konsumatorëve në procesin tarifor

Prishtinë | 06 Shk 2026 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të energjisë (ZRRE) që të sigurojë mbrojtje reale të konsumatorëve në procesin shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike. 
INDEP-i ka thënë se dëshiron të tërheqë vëmendjen e ZRRE-së mbi nevojën që shqyrtimi i të hyrave maksimale të lejuara të zhvillohet me kujdes të shtuar dhe në përputhje të plotë me parimin e mbrojtjes së konsumatorit. 

“Vendimmarrja rregullatore duhet të sigurojë që tarifat të mos përfshijnë kosto të pajustifikuara, të cilat nuk lidhen drejtpërdrejt me shërbimin ndaj konsumatorëve, por me dështime në planifikim, menaxhim apo operim të ndërmarrjeve në treg”, thuhet në rëagimin e INDEP-it. 

Në reagim thuhet se kur furnizuesi nuk nominon sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike, pasojë direkte kanë qenë ndërprerjet e furnizimit për konsumatorët.

“INDEP vë në pah se në rastet kur furnizuesi nuk ka nominuar sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike siç edhe ka ndodhur, pasojë direkte kanë qenë ndërprerjet e furnizimit për konsumatorët. Këto ndërprerje përfaqësojnë një dështim serioz të shërbimit dhe nuk mund të trajtohen thjesht si raste sporadike. Përkundrazi, ato duhet të adresohen përmes mekanizmave të qartë të përgjegjësisë dhe përmes kompensimit të konsumatorëve të prekur”, thuhet në reagim.

Po ashtu, në rastet kur Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dështon të realizojë prodhimin e planifikuar dhe si pasojë lind nevoja për importe me çmime të larta, INDEP vlerëson se rreziku financiar për sasinë e paprodhuar duhet të bartet nga vetë KEK-u. 

“Këto pasoja nuk duhet të transferohen te konsumatorët përmes tarifave, pasi rreziku i dështimit operacional i takon ndërmarrjes që nuk ka përmbushur obligimet e saj kontraktuale. INDEP i bën thirrje ZRRE-së që, gjatë shqyrtimit të kërkesave për Hyrat Maksimale të Lejuara dhe më pas gjatë vendimmarrjes për tarifat të aplikojë një qasje rigoroze rregullatore, të bazuar në analizë kritike të kostove, ndarje të qartë të përgjegjësive dhe mbrojtje efektive të interesit publik”, thuhet në reagim.

Të ngjashme